Grenell thotë se e ardhmja e Serbisë është pranë SHBA-së: I kam thënë Vuçiqit të shkëputet nga Rusia e Kina

I dërguari amerikan për dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës gjatë administratës së ish-presidentit Donald Trump, Richard Grenell, ka thënë se e ardhmja e Serbisë është pranë Shteteve të Bashkuara, dhe jo pranë Kinës dhe Rusisë.

Ai beson se mes SHBA-së dhe Serbisë ekziston një miqësi e sinqertë, pavarësisht se kush është në pushtet.

“Unë flas rregullisht me presidentin e Serbisë, (Aleksandar) Vuçiq dhe i them se duhet të shkëputet nga Rusia dhe Kina dhe të afrohet me Perëndimin dhe SHBA-në. Si një amerikan, shpesh jap këshilla të tilla dhe nuk hezitoj të promovoj vlerat e Perëndimit”, tha Grenell.

Ish-zyrtari i administratës Trumpit ka mbetur i afërt me përfaqësuesit e pushtetit në Serbi edhe pas largimit nga detyra.