Grenlanda mund të bëhet e pavarur por jo shtet i SHBA-së, thotë Danimarka

Grenlanda mund të bëhet e pavarur nëse banorët e saj dëshirojnë, por nuk do të bëhet një shtet i SHBA-së, ka deklaruar ministri i Jashtëm i Danimarkës, Lars Lokke Rasmussen, të mërkurën, një ditë pasi presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump refuzoi të përjashtonte mundësinë e forcës për të marrë kontrollin e ishullit të Arktikut.

Udhëheqësi i Grenlandës zhvilloi bisedime të mërkurën me mbretin danez në Kopenhagë, një ditë pasi komentet e Trumpit e vendosën fatin e ishullit të sunduar nga danezët në krye të titujve botërorë, raporton Reuters.

Trump, i cili merr detyrën më 20 janar, ka thënë të martën se nuk do të përjashtonte përdorimin e veprimeve ushtarake apo ekonomike për ta bërë Grenlandën pjesë të Shteteve të Bashkuara. Në të njëjtën ditë, djali i madh i Trumpit, Donald Trump Jr., zhvilloi një vizitë private në Grenlandë.

Grenlanda, ishulli më i madh në botë, ka qenë pjesë e Danimarkës për 600 vjet, megjithëse 57,000 banorët e saj tani qeverisin vetë punët e tyre të brendshme. Qeveria e ishullit e udhëhequr nga kryeministri, Mute Egede synon pavarësinë përfundimtare.

“Ne e pranojmë plotësisht se Grenlanda ka ambiciet e veta. Nëse ato materializohen, Grenlanda do të bëhet e pavarur, megjithëse vështirë se me një ambicie për t’u bërë një shtet federal në Shtetet e Bashkuara”, ka thënë ministri Rasmussen.

“Unë nuk mendoj se jemi në një krizë të politikës së jashtme. Ne jemi të hapur për një dialog me amerikanët se si ne mund të bashkëpunojmë edhe më ngushtë për të siguruar që ambiciet amerikane të përmbushen”, ka shtuar ai.