Qiproja dhe Greqia, të martën, i kërkuan Bashkimit Evropian të merrte një qëndrim më të ashpër kundër aktiviteteve të Turqisë në Mesdheun lindor. Ministri i Jashtëm grek, Nikos Dendias bëri një udhëtim të paplanifikuar në Nikozi, për të koordinuar politikën midis dy vendeve anëtare të BE-së.
Turqia ka dërguar anije eksploruese dhe luftarake në Detin Mesdhe, për të kërkuar naftë dhe gaz. Nikozia dhe Athina thonë se Turqia ka shkelur sovranitetin e tyre si dhe atë të BE-së.
“Përshkallëzimi i agresionit turk”, është i drejtuar ndaj BE-së, tha Dendias në një konferencë për media, raporton AFP.
“Provokimet turke janë një përçmim ndaj qëndrimeve të qarta të BE-së dhe SHBA-së, janë përbuzje ndaj vlerave evropiane…ligjit ndërkombëtar”, tha ai pas takimit me udhëheqësit e Qipros.
Ai akuzoi Turqinë se po luan një “rol destabilizues” në rajon.
Greqia gjithashtu ka dërguar luftanije në rajon për, siç ka thënë, monitorimin e anijeve turke.
Ministri i Jashtëm turk, Mevlut Cavusoglu, ka thënë se vendi i tij nuk do të bëjë “kompromis” me të drejtat e tij.