Grliç – Vuçiç-it pasi Kroacia ia ndaloi hyrjen: Zotëri, s’po shkoni në det – Kroacia s’ishte e informuar

Ministri i Punëve të Jashtme të Kroacisë, Gordan Grliç Radman, mbajti një konferencë të jashtëzakonshme për media të dielën lidhur me ndalimin e “vizitës private” të presidentit serb Aleksandër Vuçiç në Jasenovac dhe Pakrac.

“Sipas informacioneve jozyrtare, kemi marrë vesh se presidenti i Serbisë, përveç vizitës së mëparshme në Donja Gradina, do të vizitonte edhe zonën e Jasenovacit, në Pakrac dhe nuk dimë në cilat vende të tjera. Këtë e mësuam përmes kanaleve jozyrtare, që në fakt është e pazakontë në komunikim dhe e konsiderojmë të papranueshme këtë mungesë të komunikimit zyrtar dhe procedurës diplomatike. Të premten pasdite e kemi dorëzuar notën e protestës në ambasadën e Serbisë”, tha Grliç.

“Zotëri, nuk po shkoni në det. Presidenti i shtetit është një person i mbrojtur, një vizitë e tillë kërkon përfshirjen e autoriteteve kroate. Ne gjithmonë lajmërojmë ardhjen tonë. Nuk mund të kalosh vetëm kështu kufirin”.

Sipas tij, me rastin e çdo vizite të zyrtarëve të huaj, koha, rasti dhe plani i vizitës duhet të jenë pjesë e marrëveshjes mes dy palëve.

“Kroacia nuk është e informuar, kjo është e papranueshme për Kroacinë dhe ne e konsiderojmë jo dashamirës. Mendojmë se nuk është e sinqertë, se nuk po tregon devotshmëri”.

“Këtë e konsiderojmë si provokim sepse viktimat nuk janë qëllimi, por arsyeja, qëllimi është të prezantohen para opinionit serb përpjekjet e presidentit Vuçiç, për të fituar pikë shtesë politike në kohën e formimit të qeverisë së re serbe”, ka shtuar ai.

Ministri i Brendshëm i Serbisë, Aleksandar Vulin, njoftoi të dielën se nga sot të gjithë zyrtarët e shtetit kroat, të gjithë mbajtësit e pasaportave zyrtare apo diplomatike, do të duhet të shpallin dhe arsyetojnë veçmas vizitën ose kalimin e tyre nëpër Serbi dhe do të vendosen nën një regjim të veçantë kontrolli.