Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka thënë se procesi i numërimit dhe i rinumërimit të votave nga zgjedhjet e 6 tetorit kanë dhënë mësim se duhet patjetër të ketë reformë zgjedhore e që votat të numërohen në qendër e jo më nëpër vendvotime.
Sipas kryetarit të AAK-së, tejzgjatja e procesit të certifikimit të zgjedhjeve nuk po ndodh për shkak të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, por për shkak të palëve që janë ankuar.
Në Interaktiv të KTV-së ai ka thënë se pret që rinumërimi të sqarojë të gjitha votat në nivel vendi dhe ato për kandidatët.
“Mësimi që kemi nxjerrë nga këto zgjedhje është që në vendvotime të numërohen vetëm votat e partive por jo të kandidatëve e të nesërmen transparent me kamera e sistem elektronik në qendër, pa asnjë mundësi ankesë, do ta dinim rezultatin për një javë. Duhet të avancojmë bazën ligjore”, ka thënë ai.
Sipas tij, në Kosovë akoma s’është krijuar vetëdija që fati i zgjedhjeve të mbetet në duart e komisionerëve “nëpër zona të caktuara ku pëlqejnë kandidatët e zonave”.
“Numërimi duhet të bëhet në qendër”, ka deklaruar ai.
Ai ka thënë se rezultatet e 6 tetorit, që koalicionin AAK-PSD e kanë nxjerrë në vendin e katërt me 13-14 deputetë, varësisht nëse koalicioni Nisma-AKR-PD kalon apo jo pragun, kanë bërë që kjo parti të reflektojë thellësisht.
“Kemi mbajtur qëndrimin e sovranit për votën, duke respektuar rezultatin zgjedhor, implementimin e shpejtë të asaj që ka vendosur qytetari. I jemi mirënjohës për votën sovranit. Kemi marrë 100 mijë vota, votë e respektueshme, por s’kemi fituar. Krijuam pozicion kundërshtues ndaj shumë akterëve. Ndërhyrja e Speciales e mundësia për ftesën e radhës ishin handikapë në këto zgjedhje për ne. Edhe hipoteka e të qenit në qeveri, jo të gjithë janë të kënaqur, pavarësisht zhvillimeve qeverisës.e Sido që të jetë kemi plot biseda e kemi rënë në dakord të reflektojmë thellësisht. Kemi nisur një reformë të brendshme. Do të ketë vetëm të zgjedhur nga delegatët”, ka thënë ai duke shtuar se edhe vota e partnerit PSD “është votë e respektueshme” edhe pse kjo parti po lufton për të marrë një ulëse në Kuvend.