Kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli përmes një postimi ka ironizuar pas vendimit të BE-së për vizat në Bjellorusi, ku edhe e pyet Apostolovën e ambasadorin Heldt për Kosovën.
Parlamenti Evropian të mërkurën i ka dhënë dritën e gjelbër dy marrëveshjeve që do të lehtësojnë procesin e liberalizimit të vizave për shtetasit e Bjellorusisë.
Ndaj kësaj ka reaguar Pacolli ku thotë se dëshiron të di se çfarë kanë për të thënë tani shefja e Zyrës së BE’së, Natalya Apostolova dhe ambasadori gjerman, Christian Heldt.
“Përgëzime për Bashkimin Evropian dhe shtetet anëtare që kanë gjetur kurajën për të lëvizur përpara me lehtësimin e vizave për Bjellorusinë dhe që vazhdojnë të mbajnë Kosovën si vendin e vetëm të izoluar pa pasur mundësi të lëvizjes së lirë. Dëshiroj të shoh se çfarë Natalya Apostolova dhe Christian Heldt do të thonë tani”, ka shkruar Pacolli në Twitter.
Pas kësaj, ka reaguar edhe ambasadori gjerman, Christian Heldt.
“Epo, pse nuk duhet për hir të njerëzve atje të aplikojmë të njëjtën që e bëjmë në Kosovë që nga pavarësia më 2008? Lehtësimi i vizave nuk është liberalizim. Vetëm që të sqarojmë për çka po flasim”, ka shkruar ai.
Edhe shefja e Zyrës së BE-së, Natalya Apostolova, nuk shpëtoi pa reaguar duke thënë se lehtësimi i vizave nuk është sikur liberalizimi që po e kërkon Kosova.
“Marrëveshja e BE-së për lehtësim të vizave me Bjellorusinë është kategori nën atë të Liberalizimit të vizave të cilën Kosova është afër ta përmbyllë me BE-në. Marrëveshja e lehtësimit është hap fillestar për të siguruar lëshim më të lehtë të vizave dhe jo për t’i shfuqizuar ato. Kosova anashkaloi këtë hap dhe shkoi direkt në liberalizim të vizave. Andaj BE-ja nuk ka prezantuar liberalizim të vizave me Bjellorusinë, as nuk ekziston një mandat i tillë aktualisht. Në anën tjetër, BE-ja dhe Kosova janë në fazën e fundit të konkludimit të dialogut për viza që do të rezultojë në liberalizim të vizave për qytetarët e Kosovës”, ka shkruar Apostolova.