Historia e bazës amerikane që u godit në Jordani

Një bazë ushtarak amerikane në një zonë rurale të Jordanisë verilindore tërhoqi vëmendjen ndërkombëtare pasi një sulm me dron vrau tre ushtarë amerikanë dhe plagosi të paktën 34 të tjerë. Para këtij sulmi dihej shumë pak për këtë bazë amerikane në shkretëtirën e Jordanisë.

Baza, e njohur si “Kulla 22”, ndodhet pranë zonës së çmilitarizuar në kufirin midis Jordanisë dhe Sirisë. Kufiri i Irakut është vetëm 10 kilometra larg bazës.

Në anën siriane të këtij rajoni të gjerë dhe të thatë, që quhet Rukban, në 2014 ishte ngritur një kamp refugjatësh për civilët e zhvendosur nga zonat që kontrolloheshin nga Shteti Islamik.

Në këtë kamp jetonin rreth 100 mijë njerëz, të cilët Jordania nuk i lejoi të hynin në vend nga frika se në mesin e tyre mund të kishte luftëtarë të grupit ekstremist. Këto shqetësime u rritën pas një sulmi me makinë bombë në vitin 2016 atje, në të cilin u vranë shtatë roje kufitare jordaneze.

Sipas OKB-së, me kalimin e kohës, numri i njerëzve në këtë kamp refugjatësh u zvogëlua në rreth 7500 për shkak të mungesës së furnizimeve.

Baza filloi si një pikë jordaneze e vëzhgimit të kufirit, por në 2015 atje pati një rritje të pranisë amerikane pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të dërguar trupa në Siri për luftën kundër grupit Shteti Islamik. Në këtë bazë të vogël janë dislokuar 350 ushtarë, duke përfshirë njësi të inxhinierisë, aviacionit, logjistikës dhe forcave ajrore të Shteteve të Bashkuara.


Vendndodhja e bazës ka krijuar mundësi për hyrje dhe dalje më të lehtë nga Siria për forcat amerikane. Një garnizon i vogël amerikan në al-Tanf të Sirisë ndodhet vetëm 20 kilometra në veri të bazës “Kulla 22”. Kjo bazë ndodhet përgjatë një autostrade siriane që të çon në Irak dhe përfundimisht Mosul, dikur një qendër e Shtetit Islamik. Kjo është gjithashtu një rrugë e mundshme e dërgesave të armëve për Iranin.

Trupat amerikane e kanë përdorur prej kohësh Jordaninë, një vend që kufizohet me Irakun, Izraelin, territorin palestinez të Bregut Perëndimor, Arabinë Saudite dhe Sirinë, si një qendër të rëndësishme për operacionet e tyre në Lindjen e Mesme. Rreth 3000 trupa amerikane zakonisht janë të pranishme në të gjithë Jordaninë.

Megjithatë, prania e Shteteve të Bashkuara në Jordani rrezikon të zemërojë popullsinë që tashmë ka mbajtur protesta masive kundër luftës së Izraelit ndaj Hamasit në Rripin e Gazës, në të cilën, sipas zyrtarëve palestinezë të shëndetësisë, janë vrarë mbi 26 mijë civilë palestinezë. Sipas disa vlerësimeve, rreth 3 milionë nga 11.5 milionë banorët e Jordanisë janë palestinezë.

Protestat mund të kërcënojnë pushtetin e mbretit Abdullah II, një aleat i rëndësishëm i Shteteve të Bashkuara. Pas sulmit të së dielës, Jordania fillimisht mohoi njoftimet se baza “Kulla 22” ndodhej brenda kufirit të saj./VOA