Gazetarja e njohur për publikun shqiptar, Aida Shtino, ka rrëfyer në “Jeto me Orën” se si ajo dhe ekipi i saj në emisionin “Njerëz të Humbur” gjetën një person të zhdukur, të cilin familja e konsideronte të vdekur prej 11 vitesh.
Shtino tha se ngjarja ka ndodhur në fillimet e emisionit investigativ dhe se gjetja e të zhdukurit prej 11 vitesh i dha shtysë të vazhdonte misionin e saj për të gjetur njerëz të humbur.
Aida Shtino: Javën e parë të emisionit kemi gjetur një person pas 11 vjetësh. Personi ishte nga Maqellara e Dibrës. Familja e kërkonte për 11 vite, për arsye se nuk kishin marrë asnjë informacion kishin ndërtuar një varr imagjinar, ku shkonin e qanin. Xhaxhi i tij kishte parë emisionin tim që kishte rreth 1, 2 javë që kishte nisur. Vjen në emision për të gjetur nipin. Ndërkohë unë i çoj foton dhe të dhënat e personit të zhdukur emisionit analog në Greqi, ata e publikuan dhe çuditërisht një ditë më bie telefonin personal dhe më thotë jam filani. Unë mendova se dikush po tallej dhe i thash të më marrë pas 10 minutash, e verifikova dhe u konfirmova se ishte ai personi që familja kërkonte prej 11 vitesh.