Sipas historianit zviceran, Oliver Jens Schmitt, shqiptarët e Shqipërisë nuk kanë besim në njëri-tjetrin.
Schmitt beson se kjo mungesë besimi është prodhim i diktaturës enveriste dhe se ideologjia e kësaj diktature vazhdon të jetë prezente në Shqipëri.
“Unë mendoj se humbja e besimit është një nga të metat më të mëdha të një shoqërie dhe kjo shihet që në vitet 90 pajtimi i gjaqeve (në Kosovë) ishte faktor që tregonte nivel të lartë të besimit në njëri-tjetrin, por kjo i mungonte Shqipërisë dhe i mungon edhe në ditët e sotme dhe ky është prodhim i një diktature të rreptë, i një diktature të egër për të cilën nuk mund të flitet hapur në Shqipëri për shkak të një vazhdimi ideologjik në krye të shtetit, tani janë fëmijët e ish-krerëve komunistë që janë në pushtet dhe nuk kanë asnjë interes për një debat të hapur për atë se çfarë quhet trashëgimia komuniste në Shqipëri dhe kjo është një fatkeqësi e madhe për Shqipërinë dhe kjo natyrisht në Kosovë mungon” tha Schmitt në Klan Kosova.
Tutje historiani i cili është autor i disa librave për historinë shqiptare, tha se është fatkeqësi që të gjitha modelet e interpretimit të historisë shqiptare janë shkruar në periudhën enveriste.
“Në Shqipëri pas rënies së komunizmit kishte përpjekje të ndryshohet edhe interpretimi i historisë, problemi është që shumë historianë vazhdojnë të mendojnë në kategoritë e një shteti autoritar edhe po flasin për shembull për rishkrimin e historisë, historia nuk shkruhet vetëm nga historianët në shërbim të shtetit, por edhe nga një shoqëri, nga intelektualët, është gjithmonë një proces i hapur, unë mendoj se në rastin e Shqipërisë është një fatkeqësi e madhe që vetëm në periudhën enveriste u krijua një shkollë e historiografisë dhe të gjitha modelet që i njohim tani për të interpretuar historinë shqiptare u shkruan në atë kohë edhe ata që janë përpjekur të reagonin në vitet 90 ishin në ndikim të këtij mendimi që është për fat të keq mendim autoritar”, tha Schmitt.