Holanda është një nga penguesit më të mëdhenj brenda Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave për Kosovën, meqë është skeptike për rendin e ligjin, megjithatë, sipas institutit holandez për marrëdhënie ndërkombëtare, Clingendael, kjo qasje është në ndryshim e sipër.
Qëllimi i publikimit, sipas autorëve të tij, është besimi se “zbërthimi i pozicioneve krejtësisht të ndryshme është krucial për të identifikuar pikat bllokuese në të dyja anët, atë holandeze dhe kosovare”.
Ata kanë bërë analizimin e dokumenteve dhe gjithashtu intervistave me politikanë, hartues të politikave dhe pjesëtarë të shoqërisë civile.
“Këtu tregohet se narrativa e holandezëve ngadalë po ndryshon”, thuhet në hyrje të studimit, duke argumentuar në atë se edhe nëse dallimet mbesin, liberalizimi i vizave mund të zë vend kah fundi i vitit 2022.
Studimi artikulon rekomandimin “që edhe Kosova edhe Holanda duhet të kapitalizojnë mbi momentumin aktual”.
I titulluar “Pozita holandeze në procesin e liberalizimit të vizvve për Kosovën – dritë në fund të tunelit”, thuhet se përkundër dallimeve, Haga i ka njohur disa zhvillime pozitive në Kosovë.
Kështu që ka mundësi që të zhbllokohet qëndrimi i ngrirë nga holandezët, porse shumë varet nga rruga që merr Kosova në luftim të krimit e korrupsionit.
“Ka, megjithatë, faktorë të jashtëm që influencojnë vendimmarrjet në BE që janë përtej kontrollit të Kosovës”, deklarohet në një pjesë të konkluzës së punimit.
Zhvillimi i fundit në Ukrainë, kur Rusia sulmoi me ushtri, sipas këtij instituti holandez, del të jetë i favorshëm për Kosovën, meqë, siç u pa edhe në samitin e fundit, Kosovës s’iu liberalizuan vizat, por mendimi ishte përgjithësisht shumë pozitiv për shtetin e ri.
“Prandaj mund të pritet që gjatë presidencës çeke të Këshillit Evropian, liberalizimi i vizave do të mbështet fuqishëm. Një vendim ‘pro’ mund të vije kah fundi i këtij viti”.
Në fund përmendet edhe fakti se dialogu me Serbinë nuk është kusht formal, por praktikisht është matës për shumë shtete të BE-së të cilat i referohen zhvillimeve që përjellë ky dialog për t’i dhënë vlerësim situatës së përgjithshme.
Kurse për Holandën thuhet se “mund të jetë më e hapur në angazhim bilateral – për liberalizimin e vizave – me Kosovën.
“Edhe pse holandezët nuk e shohin angazhimin bilateral si pjesë e metodologjisë së tyre, do të ndryshonte perceptimin e kosovarëve se holandezët nuk duan dhe nuk janë të interesuar të angazhohen në procesin e Kosovës për liberalizimin e vizave, që negativisht afekton kreditibilitetin e tyre dhe të vetë BE-së në procesin e integrimit”.