Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti, sërish ka kërkuar nga partneri i koalicionit, Lëvizja Vetëvendosje, heqjen e plotë dhe pa kushte të tarifës ndaj mallrave nga Serbia dhe mos dëmtimin e raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Zëvendëskryeministri i parë Avdullah Hoti e sheh shqetësues faktin që kompania Contour Global ka ndërprerë planet për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”.
Hoti ka thënë se nëse tërheqja e këtij investitori, prapa të cilit ka qëndruar qeveria amerikane nga Kosova ka ndodhur për arsye politike, atëherë kjo duhet ta shqetësojë Qeverinë e Kosovës.
“Nuk mund të ekzistojë një qeveri që dëmton raportet me SHBA’në“, është shprehur Hoti.
“Është shqetësuese. Në rast se njëra nga arsyet e tërheqjes nga ky projekt është edhe për arsye politike, atëherë është shqetësuese për Qeverinë e Kosovës. Kushdo që e intepreton ndryshe bën gabim të madh politik, nëse e relativizon në atë masë sa e bën të parëndësishëm tërheqjen e këtij investitori nga Kosova. Prapa këtij investitori ka qëndruar Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe këtë duhet ta ketë të qartë secili politikan në Kosovë”, tha Hoti në Info Magazinë.