Hoti para dy vjetësh: LDK-ja në asnjë rast s’do të lejojë që Lista Serbe ta përcaktojë fatin politik të Kosovës

Kryeministri i sapozgjedhur i Kosovës, Avduallah Hoti, dy vjet më parë kishte deklaruar se asnjë qeveri e Kosovës nuk mund të jetë stabile, kur shumica e thjeshtë prej 61 votave në Kuvend varet nga deputetët e Listës Serbe, të cilët janë bërë instrument i Beogradit.

Këtë qëndrim ai e kishte shprehur përmes një postimi të tij në Facebook.

Por, sot ishin pikërisht votat e Listës Serbe që i siguruan pozitën e kryeministrit, në një Qeveri në të cilën një rol të rëndësishëm do të ketë pikërisht kjo parti.

Më 27 mars 2018 Hoti kishte shkruar se në asnjë rast LDK-ja nuk do të lejonte që Lista Serbe të përcaktonte fatin politik të Kosovës.

“LDK-ja, në asnjë rast, nuk do të lejojë që deputetët e Listës Serbe ta përcaktojnë fatin politik të Kosovës”, kishte shkruar Hoti ndër të tjera.

Ky postim i tij është duke u shpërndarë tani në rrjetet sociale, derisa ka marrë kritika edhe nga deputetë të Vetëvendosjes.