I infektuari i fundit me koronavirus nga Janjeva e Lipjanit, i cili u konfirmua mbrëmë pozitiv, është ankuar se nuk është marrë seriozisht nga institucionet shëndetësore, qëkur ka ardhur nga Berlini.
Ai në një bisedë telefonike me Kohën ka thënë se në Kosovë është kthyer më 11 mars bashkë me vajzën e tij, porse asnjëri nuk është kontrolluar në Aeroport.
Ai ka thënë se vazhdimisht që nga kthimi i tij ka vizituar mjekët për shkak të simptomave të cilat i janë shfaqur, porse atij nuk ia kanë bërë testin.
“Unë kam ardhur më 11 mars, askush nuk na ka kontrolluar në Aeroport. Një herë nuk e kam pasur asnjë simptomë, por pas tri ditëve pasi kam ardhur në Kosovë, kam nisur të kem lodhje të trupit. Pikërisht mjekët në ambulancën e Lipjanit më kanë sjellë deri në këtë gjendje, sepse kur shkoja aty më thoshin se kemi raste edhe më urgjente. Kam shkuar çdo ditë aty, ma kanë dhënë një injeksion, ma kanë matur tensionin dhe më kanë thënë të shkoj në shtëpi. Nuk ma kanë bërë testin. Kam shkuar ditën e hënë, ambulanca e Janjevës më ka dërguar me bë testin në Infektivë në Prishtinë dhe ata të Infektives ma kanë bërë një kontroll të lehtë, tension, temperaturë dhe më kanë thënë nuk ke virus, shko në shtëpi”, ka thënë ai.
Ai tutje tregon se ka lëvizur në vazhdimësi, duke bërë kështu të ketë kontakte me shumë njerëz.
“Kam pasur vazhdimisht lodhje të trupit dhe rregullisht kam shkuar për t’u kontrolluar. Kam shkuar në ambulancë, kam shkuar te mjeku privat, kam dalë, kam ble çaje në shitore, në barnatore kam ble barna, jam detyruar vetë që të gjej se çfarë kam”, ka thënë ai për Kohën.
46-vjeçari nga Janjeva e Lipjanit thotë se testi për koronavirus nuk i është bërë asnjërit prej familjarëve të tij.
“Familjarët nuk i kanë kontrolluar fare, ua kanë matë temperaturën dhe iu kanë thënë me qëndru në shtëpi. Ata s’kanë marra masa të thella me i kontrollu, asnjë familjari nuk iu ka bërë testi. Janë duke e lënë punën që të përhapet ky virus. Nuk i kanë bërë test motrës as nënës, as vajzës, as dhëndrit apo njerëzve që kam pasur kontakt. Nga Gjermania kam ardhur me vajzën, as asaj nuk i është bërë testi”, ka shtuar ai.
Duke folur për kushtet në ambientin ku po qëndron, ai ka deklaruar se dhoma në Klinikën Infektive nuk i plotëson as kushtet minimale për të qëndruar.
“Kushtet as minimale nuk janë (në dhomën ku është duke qëndruar) nuk kemi as shampon të duarve, as peshqirë. Në vazhdimësi po ankohem për kushtet dhe ata po thonë që “këto kushte i kemi”, ndërkaq po iu them që këtu kam ardhur të marr sëmundje e jo të shërohem”, ka shtuar ai.
Në Kosovë janë konfirmuar gjithsej 22 raste me koronaviurs.