Ish-deputeti i Kuvendit të Kosovës dhe sipërmarrësi kosovar në SHBA, Florin Krasniqi ka folur për deklaratat e tij të ashpra kundër partisë në pushtet, PDK-së, kur ai ishte pjesë e politikës.
Krasniqi ka thënë se asnjëherë nuk e kishte ulur nivelin i pari.
“Unë u kam thënë janë hajna, janë rrugaçë, e kanë vjedhë vendin, e kanë përdhunu vendin”, ka thënë ai në Pressing.
Ai ka thënë se nuk i ka rënë pishman fjalëve të tij në asnjë moment.
Autor i emisionit, Leonard Kerquki, në një moment i kujtoi atij edhe një deklaratë dhe një veprim të vjetër.
“I thoje Hashim Thacit t’i thej dhëmbët, e pastaj Bekim Haxhiut përnjëmend ia theve dhëmbët”, iu drejtua Kerquki Krasniqit.
Konfliktin fizik që ai e kishte me deputetin e PDK-së, Bekim Haxhiu, Krasniqi e ka arsyetuar. E po ashtu, Ka thënë se një ditë do ta botojë një libër që lidhet me të pathënat e luftës.
“Po pse jo, kur thotë e ki gruan shk***, pse jo more Leo. Unë di shumëçka për luftën. Do ta shkruaj një libër e do ta botoj kur të vdesë. Luftrat civile nuk janë të mira, luftra guerile e Kosovës ishte më e mira. Mas luftës kur e morën pushtetin e degraduan shtetin për interesa personale dhe përfitime të tyre”, tha Krasniqi në Pressing.