Prishtinë- Tomë Dodaj, i akuzuari i katërt në rastin e vrasjes së Liridona Ademajt, pasi e pranoi fajësinë, është shpallur fajtor dhe dënuar me 5 vjet burgim dhe 5 mijë euro gjobë për shitjen e armës.
Gjykata Themelore në Prishtinë e ka dënuar me pesë vite burgim dhe gjobë prej pesë mijë eurove Dodajn, njërin nga të akuzuarit për përfshirje në vrasjen e Liridona Ademajt.
Aktgjykimi ndaj Dodajt u shpall të premten nga gjykatësja Fatime Dermaku
Dodaj u shpall fajtor për kryerjen e veprës penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse”.
Gjykatësja Dërmaku tha se gjatë vuajtjes së dënimit Dodajt do t’i llogaritet koha e kaluar në paraburgim.
“Gjykata, në bazë të dispozitave ligjore, të akuzuarit Tomë Dodaj i shqipton dënim me burgim për veprën penale importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materialeve plasëse.. i shqipton dënim me gjobë prej 5 mijë euro dhe dënim me burgim prej 5 vitesh”, tha gjykatësja.
Tomë Dodaj ia kishte shitur Naim Murselit për 280 euro armën me të cilën Granit Plava dyshohet se e vrau ish bashkëshortën e Murselit, Liridona Ademajn.