Forcat e Sigurisë së Kosovës (FSK) kanë hapur konkurs për pranimin e rreth 850 kandidatëve, që përbën rekrutimin më të madh deri tash, ka theksuar ministri i mbrojtjes së Kosovës Armend Mehaj.
Mirëpo sipas biseduesve të gazetës “Kurir”, këtu bëhet fjalë jo vetëm për forcimin e FSK por për lojën tinëzare me qëllim të futjes së Ushtrisë së Serbisë në konflikt me KFOR-in dhe pastaj indirekt me NATO-n, transmeton “Bota Sot”.
Mediat serbe shkruajnë se nëse FSK do nisej drejt serbëve duarthatë në veri, Serbia do dërgonte ushtrinë dhe pastaj në konflikt do të përfshihej edhe KFOR-i, që kontrollon territorin e me atë edhe vetë NATO, nën ombrellën e së cilës punon KFOR-i.
Kështu, forcimi i vazhdueshëm i FSK-së të cilën Prishtina me këmbëngulje dëshiron ta riemëroj “Ushtria e Kosovës” – nuk ka qëllim tjetër vetëm të shërbejë, nëse duhet si provokim ndaj Serbisë.
Ljuban Karan, ish-oficer i kundërzbulimit në Serbi për “Kurir” tha se transformimi FSK në “Ushtri të Kosovës” nuk është menduar që ajo ushtri të zotëroj Kosovën dhe siguroj edhe pavarësinë e plotë të saj, por me sulme të pacipa ndaj banorëve duarthatë serb vazhdimisht të provokojë Serbinë ashtu që me kohë ta fus në konflikt me KFOR-in dhe NATO-n.
“Transformimi i FSK në Ushtri po zhvillohet tash e një kohë të gjatë, por ajo ushtri kurrë nuk do të jetë e fortë në kuptimin ushtarak që të rrezikojë Serbinë. Problemi është se ata në mënyrë të paligjshme krijojnë ushtri në Kosovë, e cila është nën kontrollin e OKB-së dhe KFOR-it. KFOR është nën udhëheqjen e NATO-së, aleanca indirekt kontrollin Kosovën me misionin e OKB-së. Tash ushtria e Kosovës apo FSK nuk është në gjendje me forcë të marr veriun, nuk përbën ndonjë forcë që mund të bënte diçka. Prandaj vazhdimisht me këmbëngulje insistohet në formën ushtarake edhe armatim? Sepse ajo nuk është menduar si forcë ushtarake për të zotëruar Kosovën, por si ushtri që do provokojë Serbinë dhe forcat policore të sigurisë së Serbisë dhe tash a më vonë ato të hyjnë në Kosovë për të mbrojtur popullin serb nga ndonjë përndjekje a eksod”, shprehet Karan.
Ai përkujton se shumë herë është thënë se nuk do lejohet ndonjë përndjekje e serbëve nga Kosova.
“Është e qartë, nëse ndonjë fuqi e madhe dëshiron konflikt në Ballkan, mjafton që të bindet e ashtuquajtura ushtria e Kosovës apo FSK që të veprojë me forcë ndaj serbëve duarthatë, sepse forcat serbe do hynin në atë hapësirë dhe do vinte te konflikti, por jo me ‘Ushtrinë e Kosovës’ por me KFOR-in”, thotë Karan.
“Kur Ushtria e Serbisë do të hynte në ndonjë konflikt me KFOR-in, pasi ai drejtohet nga NATO, kjo do të na fuste në problem me vetë NATO-n dhe aty është problemi bazë”.