Në Durrës hapi dyert sot hoteli më i ri e më i madh në vend i brandit prestigjioz ndërkombëtar “Meliá”, buzë bregdetit Adriatik.
I pranishëm në ceremoninë e organizuar me këtë rast, Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë hotel “shëmbëlltyrë të Shqipërisë turistike që përparon çdo ditë”.
Rama vlerësoi se ky është një investim që flet vetë. Sipas tij, realizimi i projektit të këtij hoteli është më i bukur se ajo që u prezantua në 3D.
“Askush nuk e besonte që këtu do të ndodhte ajo që tregohej në 3D dhe për hir të së vërtetës çfarë është ndërtuar është edhe më e bukur se sa çfarë ishte e paraqitur në 3D”, tha Rama.
Ndërkohë për sa i përket ndërtimit të rrugës, Rama tha se bizneset hoteliere të kësaj zone kanë propozuar që rrugën ta ndërtojnë vetë, ndërsa siguroi se do të kenë mbështetjen e qeverisë në këtë proces.
Kryeministri vlerësoi veçanërisht angazhimin e ish-ministrit të Turizmit dhe Mjedisit, Blendi Klosi, i cili sipas tij, ishte protagonisti kryesor që solli “Melia”-n në Shqipëri.