Të hënën, më 20 nëntor 2023, në praninë e autoriteteve kishtare dhe civile u bë inaugurimi i restaurimit të plotë të Kishës Shën Gjon Kryepremit në Mërqi të Lezhës, vendi ku është mbajtur Kuvendi i Arbërit në vitin 1703, të cilin e kërkoi dhe e deshi Papa Klementi XI Albani, shqiptar.
Programi përfshinte fjalime të mirëseardhjes nga Elton Margjeçi, famullitar i Kallmetit dhe administrator i Mërqisë dhe ftesën për bekimin e statujave Papës Klementi XI, dhe atë të argjipeshkvit Vinçenc Zmajevich nga Mons. Vittorio Vitale, ipeshkvi i Lezhës, i cili iu drejtuar me disa fjalë të pranishmëve. Fjalë rasti mbajtën Imzot Rrok Gjonlleshaj, argjipeshkëv i Tivarit dhe Imzot Zef Gashi, argjipeshkëv i Tivarit në pension, Kryetari i komunës së Lezhës, z. Pjerin Ndreu, ipeshkvit aktual të Kosovës, Imzot Dodë Gjergji, i cili, sa ishte famullitar në Kallmet, e pati filluar dhe ndërtuar këtë kishë që ishte thuajse në rrënoja, kurse Don Nikë Ukgjini, si organizator i punimeve aktuale të restaurimit dhe përfundimit të saj, mbajti po ashtu fjalën e rastit, i cili tregoi rëndësinë e këtij monumenti kulturor të veçantë, me vlera të jashtëzakonshme historike, duke e kthyer në origjinalitetin e saj.
Kuvendi i Arbërit, i organizuar nga ipeshkvijtë shqiptarë të kohës, me dëshirën e Papa Klementit XI, shqiptar, me delegat të posaçëm Imzot Vinçenc Zmajevich, argjipeshkëv i Tivarit, është një moment historik i rëndësisë së veçantë, pasi u mbajt në kohën tejet të vështirë të kombit shqiptarë, e veçanërisht të Kishës Katolike, e cila po përjetonte trysni sistematike nga Perandoria Otomane, për të zhbërë identitetin e shqiptarëve. Besimtarët e krishterë po përjetonin vështirësi të papara për të mohuar përkatësinë e tyre fetare dhe pushtuesit punonin për të mos lejuar asnjë aktivitet kishtarë, të cilat do të mbanin gjallë jetën shpirtërore katolike. Ndonëse Kuvendi kishte për qëllim të analizonte e pastaj edhe të propozonte mënyra për ta mbajtur gjallë fenë, ai gjithashtu ishte edhe një kuvend për të mbajtur gjallë gjuhën dhe kulturën shqiptare përballë tiranisë shkatërruese otomane, për të ndaluar çdo gjë shqiptare.
Prandaj, në këtë drejtim, disa nga vendimet e marra ne Kuvendin e Arbërit, që u mbajt në kishën e Shën Gjon Kryepremit në Mërqi të Lezhës ishin kërkesat për të hapur shkolla dhe për të botuar libra në gjuhën shqipe, të cilat u zbatuan gjatë shek. XVIII e XIX. Fillimisht u realizuan botime fetare në dialektin e geg dhe aktet e këtij kuvendi u shtypën si botim më vete në gjuhën shqipe që më 1706, që është një material i çmueshëm për historinë, ekonominë, gjendjen shoqërore të shqiptarëve, çështje të shkollës, (mos)lirinë fetare që e jetonin shqiptarët katolikë nën trysnin e pamëshirshme të otomanëve.
Inaugurimi u përcoll me një program artistik të pasur nga grupe muzikore të vendit.