Instituti Amerikan: Putini s’ka interesim për armëpushim, do të “tërhiqet” për t’i ridrejtuar trupat

Instituti Amerikan i Luftës ka publikuar raportin e përditësuar të mërkurën, duke thënë se sipas vlerësimeve të inteligjencës perëndimore, presidenti rus, Vladimir Putin, s’është i interesuar për armëpushim me Ukrainën, paçka se të martën u takua me palën amerikane për këtë temë.

Sipas Institutit, Rusia ka për qëllim që të “tërhiqet” përkohësisht me qëllim që t’i ridrejtojë forcat e saj në territorin ukrainas, me idenë që ta pushtojë tërë shtetin.

Në raport citohen gjashtë zyrtarë të Shteteve të Bashkuara që njëzëri kanë thënë se “Putini mund të dakordohet për një armëpushim në mënyrë që t’i jepet kohë ushtrisë ruse për ta pushuar para pushtimit”.

“Vlerësimet e inteligjencës perëndimore sugjerojnë se Putini s’e ka ndërruar strategjinë e tij të fitores në Ukrainë dhe ende beson se epërsi ushtarake e tij është e tillë, saqë Rusia mund t’ia kalojë Ukrainës dhe Perëndimit në fushën e betejës. Teoria e fitores së Putinit supozon se ushtria ruse mund të bëjë përparime të ngadalta, zvarritëse në fushën e betejës, më gjatë se sa mund të mbrohen trupat ukrainase dhe më shumë sesa Perëndimi është i gatshëm ta mbrojë Ukrainën”, thuhet në raportin e Institutit Amerikan.

Gjithashtu u përmend skenari që Putini të “tërhiqet përkohësisht” nga fushëbeteja me qëllim që të shohë se çfarë lëshime do të bëjë Ukraina.

“Një zyrtar i Kongresit deklaroi se s’ka plane nga Putini për t’i tërhequr trupat nga fusha e Ukrainës ose t’i largojë automjetet nga Rusia perëndimore…Dy zyrtarët e Kongresit dhe një ish-zyrtar i lartë i administratës amerikane vunë në dukje se ambiciet e gjëra të Putinit s’kanë ndryshuar nga fundi i administratës së Bidenit”, përmendet gjithashtu në raportin e luftës.