Reformisti dhe ligjvënësi veteran, Masud Pezeshkian, është zgjedhur presidenti i ri i Iranit. Ai triumfoi në balotazhin ndaj ish-negociatorit për çështje bërthamore, konservatorit Saeed Xhalili.
Autoritetet lokale të zgjedhjeve njoftuan se Pezeshkian ka marrë mbi 16 milionë vota kundrejt 13,5 milionë të rivalit ultra-konservator. Në këto zgjedhje morën pjesë 30,5 milionë votues nga 61,4 milionë me të drejtë vote.
“Do t’i shtrijmë dorën për miqësi të gjithë. Ne jemi njerëzit e kësaj toke dhe kemi nevojë për ndihmën e të gjithëve për përparimin e Iranit”, ishin fjalët e para të presidentit të zgjedhur Massoud Pezeshkian.
Zgjedhjet e parakohshme u mbajtën pas vdekjes së Ebrahim Raisit si pasojë e rrëzimit të helikopterit të tij muajin e kaluar.