Ministria e Jashtme izraelite ka dalë me një deklaratë kundër presidentit turk, Recep Tayyip Erdogan, duke thënë se ky i fundit është rreshtuar krah Hamasit, të cilët janë “armiku i vërtetë i popullit palestinez”.
Këto komente nga diplomacia izraelite vijnë menjëherë pas tërheqjes së ambasadorit turk nga Tel Avivi dhe deklaratave të Erdogan se do të çojë kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, në Gjykatën Ndërkombëtare Penale, për të dhënë llogari mbi gjithçka po ndodh në Gaza prej 7 tetorit.
Kështu, Erdogan gjatë një fjalimi publik, “i ka vënë vizën” Netanyahut dhe është zotuar se do ta çojë kryeministrin izraelit përpara GJNP-së, që të japë llogari mbi gjithë këtë aksion që ka zhvilluar në Gaza.
Më herët, Ministria e Jashtme turke ka bërë me dije se Ankaraja ka tërhequr ambasadorin e saj në Izrael për konsultime për shkak të krizës humanitare dhe sulmeve të vazhdueshme izraelite në Gaza.
Ndërsa, Erdogan, tha se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu “nuk ishte më dikush me të cilin mund të flasim”.
Të dërguarit e Izraelit në Turqi u larguan nga vendi muajin e kaluar pasi shpërthyen protestat në mbështetje të palestinezëve.
Izraeli më vonë tha se kishte tërhequr të dërguarit e tij për të vlerësuar lidhjet dypalëshe.
Më tej, sa i takon konfliktit midis Izraelit dhe Hamasit Erdogan tha se vendi i tij do të mbështesë formulat që sjellin paqen rajonale, jo ato që “shkallëzojnë palestinezët nga historia”.
Erdogan theksoi se shefi i inteligjencës turke është në kontakt me Izraelin, Hamasin dhe palestinezët.
Ai gjithashtu dhe paralajmëroi se “besimi në sistemin global do të zhduket nëse Izraeli nuk ndalet, nuk mbahet përgjegjës për krime, shkelje të të drejtave”.
Presidenti turk njoftoi gjithashtu se presidenti iranian Reisi do të vizitojë Turqinë në fund të nëntorit.