Analisti politik Dushan Janjiq ka thënë se kthimi i paparalajmëruar i deputetëve të Listës Serbe në Kuvendin e Kosovës, tregon se pozita negociuese e Serbisë dhe e presidentit serb Aleksandar Vuçiq është dobësuar, raporton agjencia serbe Beta.
Janjiq ka thënë se Vuçiqi ka vendosur ta kthejë Listën Serbe në institucione të Kosovës në mënyrë që të shtyjë zgjedhjet e planifikuara në veri të Kosovës për 18 dhjetor.
“Vuçiqi e kuptoi se lëvizjet e tij në dhjetë ditët e fundit, si largimi nga institucionet e Kosovës dhe ngritja e tensioneve me historitë e dronëve, nuk dhanë fryt. Ai në bisedime me përfaqësuesit e vendeve të QUINT-it, pranoi të kthejë serbët në institucione të Kosovës, ndërsa nga ana tjetër është kërkuar të shtyhen zgjedhjet në komunat veriore të Kosovës dhe të shtyhet zbatimi i vendimit për riregjistrim të automjeteve”, tha Janjiq.
Sipas Janjiqit, kthimi i Listës Serbe në institucione të Kosovës do të jetë mundësi edhe për këtë parti “që të pastrohet nga kuadrot” me punën e të cilëve populli serb dhe bashkësia ndërkombëtare kanë qenë të pakënaqur.
Ai ka thënë se është duke ardhur te “shpërbërja” e Listës Serbe dhe se përfaqësuesit e tyre do të marrin pjesë në zgjedhje lokale.
Janjiq vlerëson se Lista Serbe do të kthehet në Qeveri të Kosovës, “që do të jetë shuplakë e madhe për gjithçka që ka bërë Vuçiqi dhe që ka thënë në muajt e fundit”.
“Vuçiqi nuk arriti të krijojë një vakum institucional në Kosovë. Tani ka duhet t’i kthejë serbët në institucione të Kosovës që të shmangë zgjedhjet lokale në veri”, tha Janjiq.
Janjiq nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd ka thënë po ashtu se “Beogradi ka qëlluar mushkonjat me top”.
“Reagimi ndaj provokimit të Albin Kurtit për masën e reciprocitetit për targat ishte i ashpër. Beogradi i tërhoqi serbët nga të gjitha institucionet e Kosovës, madje edhe nga Policia. Është e qartë se anëtarët e QUINT-it i bënë presion Kurtit që të shtyhet zbatimi i vendimeve në veri të Kosovës dhe Vuçiqi t’i kthejë serbët në institucione”, tha Janjiq.
Janjiq ka thënë se është lajm i mirë që asnjëra palë nuk ka fuqi të shkaktojë trazira.
“Lajmi i keq është se integriteti negociues i Serbisë ka rënë pas vendimit për largim nga institucione”, tha Janjiq.