Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Joe Biden, ka vendosur të shpallë “non grata” dhe t’i ndalojë hyrjen në vend homologut nga Nikaragua, Daniel Ortega.
Së bashku, me presidentin Ortega iu është ndaluar hyrja në SHBA dhe bashkëshortes së tij, zv.presidentit Murillo, si dhe disa ministrave të tjerë të vendit të Amerikës Qendrore nën akuzën se kanë kryer “atentat” ndaj demokracisë.
“Represioni dhe abuzimet e qeverisë së Ortegës dhe të atyre që e mbështesin, detyruan Shtetet e Bashkuara të reagojnë”, shkruhet mes të tjerash në dekretin e presidentit Biden.
I lindur në 11 nëntor 1945, José Daniel Ortega Saavedra, ka shërbyer si president i Nikaraguas që prej vitit 2007. Më parë ai ishte udhëheqësi i vendit nga viti 1979 deri në vitin 1990, fillimisht si koordinator i Juntës Kombëtare për Rindërtim (1979–1985) dhe më pas si president (1985–1990).
Me një rol drejtues në Ballin Kombëtar Çlirimtar Sandinista, ai vuri në zbatim politika për të realizuar reforma të majta në të gjithë vendin. Në vitet e fundit politikat e tij majtiste u moderuan dhe vendi nisi të kishte një marrëdhënie më të hapur me bizneset private ndërsa u afrua më shumë me Kishën Katolike.
Pas tërheqjes nga politika të Fidel Castro-s në vitin 2008, Ortega mbetet një prej sundimtarëve më jetëgjatë në Amerikë dhe në botë, që nuk rrjedh nga familje mbretërore.