Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, është bërë sërish një “drama queen” (mbretëreshë e dramave), ka shkruar mediumi prestigjioz kroat, “Jutarnjilist”, të premten duke u marrë me deklaratat e tij të fundit. “Ai ngrit tensione, krijon atmosferë të frikës dhe të pasigurisë në Serbi, duke deklaruar se së shpejti (në tri ditët e ardhshme) do t’i adresohet popullit me një fjalim profetik, me Kosovën që supozohet të jetë në qendër, dhe shumë besojnë se do të jetë për prezantim të sanksioneve ndaj Rusisë, të cilat në vazhdimësi i ka refuzuar, por që presioni nga Evropa po rritet, e kundërpresioni nga Moska nuk duhet të injorohet assesi”, ka shkruar ky medium.
Gjithsesi, sipas Jelena Jeriniq, përfaqësuese e Të Gjelbërve në Parlamentin e Serbisë, “Vuçiqi po krijon pasiguri dhe të gjithë presin me ankth fjalimin e tij”. Ajo dyshon se do të ketë diçka të re që është e rëndësishme, por se gjithçka do të jetë vetëm një prezantim i “misionit të shpëtimit dhe martirizimit të Vuçiqit”.
“Tri ditët e ardhshme janë më të vështirat në dhjetë vjetët e fundit”, ka thënë Vuçiqi dhe të gjitha mediat që e përkrahin po bëjnë tituj dramatikë në ballina të gazetave. “Vuçiqi anuloi të gjitha udhëtimet jashtë vendit, s’do të shkojë në takimin COP 27, ku pritet të jenë edhe Joe Biden, Emmanuel Macron e Ursula von der Leyen”, janë disa prej titujve.
Siç shkruan “Jutarnji”, në këso gjendje Vuçiqi është parë qindra herë. Ai pritet të konsultohet me ambasadorët rusë e kinezë në Serbi.
“Një mbledhje e Qeverisë pritet të mbahet e një bisedë e rëndësishme me patriarkun e Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, do të pasojë. Ai pritet të takohet edhe me përfaqësues të serbëve nga Kosova. Dhe do ta dëgjojë edhe emisarin e BE-së për dialogun, Miroslav Lajçak, të cilit do t’ia rrëfejë ‘pikëpamjet për serbët e Kosovës’. Vuçiqi po punon palodhshëm dhe vetëm dëshiron që Serbia të dridhet këtë fundjavë deri kur ai t’i thotë fjalët e qetësisë. Të gjithë janë në këmbë. Serbia është në atmosferë paranoje”, ka vazhduar “Jutarnji”.
Siç shkruan mediumi kroat, në Serbi figura e Vuçiqit nga mediat vendore po kthehet në profet.
“Jutarnji” ka shkruar po ashtu se Vuçiqi është nën presion të madh ndërkombëtar për sanksionet ndaj Rusisë e për ngritjen e gatishmërisë së Ushtrisë së Serbisë “për shkak të situatës në Kosovë”. Po ashtu në “listën e krijimit të paranojës” është përmendur edhe dërgimi i kryeministres në vend të vetin në Procesin e Berlinit të enjten në Gjermani.
“Vuçiqi është në errësirë, dhe i duhet të dalë në minutë të fundit si superhero”, ka shkruar tutje ky medium. “Edhe pse nuk dihet se si do të marrë fund drama e hidhur e Vuçiqit, atij do t’i duhet t’i marrë disa vendime jopopullore”.