Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, i vijuar në ditët e kaluara nga dy presidentët Thaçi e Vucic, duket se ka rikthyer tensionet në Kosovë. Për analistin Ben Andoni, i cili ishte i ftuar në “Dita jonë” në A2, serbët janë më kompakt, pasi e kanë të zgjidhur çështjen e Kosovës.
“Nga një anë nuk lëshojnë, dhe nga ana tjetër kanë tre struktura për Kosovën që nuk e pengojnë njëra-tjetrën. Ndërsa në Kosovë ka një arkitekturë krejt tjetër. Sepse ka një përplasje të vazhdueshme ndërmjet parlamentit dhe qeverisë. Kjo sepse çështja ndaj Serbisë në Kosovë është më shumë se sa diplomatike. Ka ardhur koha që në Kosovë që të gjitha palët të unifikohen, por është shumë e vështirë, pasi palët kërkojnë dominim”, tha ai.
Sipas Andonit, arritja e një zgjidhjeje brenda qershorit është e tmerrshme. “Që në momentin që u shmangën kryeministrat dhe u kalua dialogu në nivel presidentësh, ishte për t’i paraprirë ndryshimeve”, tha ai.
Andoni thotë se Bashkimi Evropian e ka vërtetuar se është krejtësisht i pafuqishëm për dialogun, çka i ka hapur rrugën Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të marrë rolin e ndërmjetësuesit kryesor, duke u dakordësuar edhe me Rusinë.
“Kosova ka bërë lëshime të paimagjinueshme, por nuk mori liberalizimin e vizave. BE-së i erdhi shumë mirë që të transferonte të gjithë dialogun te SHBA, që me sa shikoj, pas takimit të Helsinkit (Trump-Putin, në vitin 2018) ka një marrëveshje me Rusinë. Sepse kjo shpjegon që Rusia është gati indiferente dhe përsërit atë që thuhet nga administrata amerikane, që thotë gjithçka që arrijnë të dy palët ne e respektojmë”, tha ai.
“Problemi është se ne nuk e dimë arkitekturën e kësaj marrëveshjeje. Ajo që zbulohet në Kosovë është se përsëri ka dalë në skenë ndryshimi i kufijve dhe problem akoma më i madh për Kosovën është krijimi i asociacionit, që edhe Albin Kurti e ka kundërshtuar. Krijimi i komunave serbe e bën Kosovën si Palestina me Izraelin. Po u krijuan komunat serbe në mes të Kosovës, Serbia mund të lëshojë, dhe unë mendoj se do ta bëjë, por “de facto” do të vazhdojë të ketë dominim në Kosovë”.