Deputetja e AAK-së, Time Kadrijaj, ka reaguar pas deklaratave që dha kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në konferencë për media të shtunën.
Kurti duke kritikuar SBASHK-un, ka thënë “se duke nxjerrë analfabetë e duke menduar veç për paga, po shtohen listat sociale, apo asistencat, apo punonjësit e krahut në Gjermani”.
“Në një Kosovë, kur testet e PISA-s po na nxjerrin ¾ e fëmijëve analfabetë funksionalë ta shantazhosh Qeverinë, kërcënosh Qeverinë me rrënim të shtetit është papërgjegjësi absolute. Ne nuk shantazhohemi. Nga greva janë të gjithë humbës. Të krijosh ditë pa mësim për fëmijët është papërgjegjësi. Duke nxjerrë analfabetë e duke menduar veç për paga po na shtohen listat sociale. Ose asistencë ose punëtorë krahu në Gjermani. Ne duhet ta rregullojmë sistemin arsimor, por po shihni çka po ndodh, veç kërkesë për pare për të bankrotuar shtetin, për ta shkatërruar shtetin. Thërras racionalitetin të njerëzve. Të jenë të përgjegjshëm e të japin mësim”, ka thënë Kurti.
E Kadrijaj në një postim në Facebook i ka quajtur këto deklarata të Kurtit si të pandershme.
“Është i pandershëm dhe shumë i ulët epiteti analfabet për mërgimtaret tanë. Pasi i mashtrove deri në përulje tash fillove me i ofendu me epitete qe ata kurrë se kanë merituar. Aq më tepër nga ti, që falë tyre je këtu në këtë pozitë. Liria dhe shteti ynë e kanë emëruesin e përbashkët e ai emërues është populli ynë kudo që jeton dhe vepron”, ka shkruar Kadrijaj.