Një tjetër ngarkesë me kokainë e fshehur në banane është zbuluar në portin e Durrësit. Sasia prej 7.7 kilogramë drogë u gjet në kontejnerin e kompanisë ‘Alba Fruits Exotic’ që mbërriti me anije nga Ekuadori. Kompania që kishte porositur ngarkesën është kapur edhe tri herë të tjera me lëndë narkotike, pronari i saj është shpallur në kërkim kurse menaxheri është arrestuar.
Një tjetër sasi kokaine është sekuestruar në portin e Durrësit në kontejnerët me banane të porositur nga kompania ‘Alba Fruits Exotic’.
Sipas policisë 8 pako me lëndë narkotike me një sasi prej 7 kg e 700 gr ishin të vendosur në pjesën fundore te kapakët e motorëve frigoriferikë të kontejnerit.
Policia bën me dije se sekuestrimi i lëndës narkotike u bë në vijim të operacionit të koduar “Rada”, ku kompania me administrator Erion Dautin, i cili vijon të jetë në kërkim, dhe me menaxher Bajron Gumenin, i cili është i arrestuar, bie për herë të katërt në rrjetën e policisë.
Operacioni “Rada” nisi më datën me datën 13 korrik ku në portin e Durrësit u kapën një sasi prej 11.675 kg dhe në këtë operacion në pranga ra menaxheri Bajron Gumeni, dhe u shpall në kërkim administratori i firmës.
Por arrestimi i tij nuk ndaloi transportin e kokainës ku sërish më datë 24 korrik në kontejnerët kësaj firme u gjetën një sasi prej 6.5 kg kokainë.
Pak ditë më vonë më datën 29 korrik ishin kontejnerët e kësaj kompanie, të cilët u bënë subjekt i kontrolleve ku sërish u gjetën një sasi kokainë më peshe prej 7.25 kg.
Aktiviteti kriminal duket se nuk është ndalur vetëm me arrestime dhe dhe me fletë arreste, pasi komapnia përveç bananeve nga Amerika Latine sjell dhe kokainë.
Për këtë ngjarje nuk ka persona të arrestuar e ndërsa pritet hetimet të vijojnë nëse ka persona të përfshirë në trafikun e drogës.
Njoftimi i policisë
Në kuadër të operacionit “Rada”, të nisur më datë 13.07.2021, në Portin e Durrësit, ku nga Task Forca permanente e përbërë nga Policia Kufitare, strukturat hetimore të Drejtorisë Vendore të Policisë Durrës dhe autoritet doganore të Portit janë gjetur dhe sekuestruar lëndë narkotike kokainë në një nga kontenierët për llogari të firmës “Alba Exotic Fruit”, tjetër sasi kokaine është sekuestruar ditën e sotme.
Në vijim të operacionit “Rada”, ditën e sotme, nga Task Forca permanente që vepron në Portin e Durrësit, është ushtruar kontroll i imtësishëm në një nga kontenierët i ngarkuar me banane i ardhur nga Ekuadori, për llogari të kësaj firme, ku si rezultat i kontrollit të imtësishëm në pjesën fundore te kapakët e motorrëve frigoriferike, u gjetën dhe u sekuestruan 8 pako me lëndë narkotike të dyshuar kokainë.
Task Forca permanente që operon në Portin e Durrësit vijon veprimet hetimore, nën drejtimin e SPAK-ut.
Në nisje të operacionit, nga taskforca permanente që vepron në hyrje dhe në dalje të Portit të Durrësit, më datë 13.07.2021, është arrestuar në flagrancë shtetasi B. G., (menaxheri i firmës) dhe është shpallur në kërkim administratori i firmës shtetasi E. D.