Që nga 1 qershori të gjithë qytetarët që duan të udhëtojnë drejt Gjermanisë për një punësim do të kenë më shumë lehtësira. E quajtur Karta e Shanseve nga kjo paketë do të përfitojnë të diplomuarit me bachelor, por dhe ata me një certifikatë profesionale.
“Një hap tjetër për modernizimin e Gjermanisë, hap tjetër për të siguruar rritjen ekonomike dhe hap tjetër që tejkalon krizën e disa dekadave.”
Prej kohësh, Gjermania ka zënë një peshë të rëndësishme në valën e madhe të emigrimit të shqiptarëve, qoftë për largimet për një vend pune, kushte më të mira jetese apo edhe studime. Por me rregullat e reja nëse më parë shqiptarët krijonin radhë pranë dyerve të ambasadës në vendin tonë, tashmë kriteret do të jenë më të përcaktuara.
“Këto janë të ndara në pikë për cdo plus që një person zgjedh si nga ana e diplomës dhe gjuhës gjermane grumbullon pikë. Pikët të ndara në kategori, ata që e kanë diplomën gjermane kanë 4 pikë, gjuhën gjermane në A2 1 pikë, B1 2 pikë e B2 C1 3 pikë. Dhe kështu grumbullojnë një nivel mbi 6 pikë për të përfituar nga karta e shansit”, shprehet Rafael Todhe, jurist në Gjermani.
Ambasada Gjermane bën të ditur se për 2023 janë lëshuar mbi 11 mijë viza ku kryesisht dominojnë ato për punësim, bashkim familjar, studime apo dhe kurs gjuhe.
Në 2023 janë dhënë rreth 11576 viza gjithsej nga të cilat për punësim ishin rreth 6 mijë e 442.”
“Nuk duhet të vijnë me një kontratë pasi rregulli është që brenda 1 viti ti në Gjermani të gjesh punë apo të ndjekësh dhe kursin atje. Kjo është risia.”
Jo vetëm të kualifikuarit, por dhe të pakualifikuarit do të kenë mundësi të përfitojnë nga kjo kartë e shanseve. Shteti gjerman ka menduar për dyfishim të vizave për këtë kategori.
“Shteti gjerman për disa sektorë ka nevojë urgjente. Jo vetëm të kualifikuarit janë të rëndësishëm. Ka nevojë urgjente edhe për të pakualifikuarit.”
Personat e pakualifikuar punësohen në ndërtimt pasi ka nevojë shumë të madhe se po ndërtohen nga shteti, por dhe privati. Pasi kjo qeveri premtoi të ndërtonte 400 mijë banesa të reja.”
Sipas të dhënave zyrtare të qeverisë gjermane, profesionet më të kërkuara aktualisht në treg janë mjekët dhe infermierët, punonjësit e transportit, punëtorët e ndërtimit, por edhe inxhinierë dhe specialistë të IT-së.
Teksa në një anë shtetet po krijojnë lehtësira për të tërhequr fuqinë punëtore, qeveria shqiptare po krijon paketa për të tërhequr investimet e emigrantëve por dhe rikthimin e tyre në vend.