Kryetari i komunës së Kamenicës, Qëndron Kastrati mbrëmë e konfirmoi se është një nga të infektuarit me koronavirus.
Teksa po qëndron në vetizolim, Kastrati ka deklaruar se po mundohet që punët e komunës t’i kryejë përmes platformave teknologjike teksa po angazhohet dhe po mundohet të kontribuojë dhe të mos ndihet mungesa e tij.
Madje Kastrati tha se nuk ka pasur asnjë simptomë sa i përket virusit dhe se gjendjen e ka të njëjtë si më herët.
“Unë nuk e kam asnjë simptomë fare deri tash po të mos ishte rasti i kontaktit dhe detyra e kryetarit që mund të kesh më shumë kontakt me të tjerët, nuk do ta dija fare se e kam virusin. Ka qenë vetëm rasti që më ka shtyrë që të bëjë tesitn dhe kam kuptuar se jam infektuar me virusin.Deri tash nuk e kam asnjë simptomë, e kam gjendjen si zakonisht. Pajtohem plotësisht me kërkesën mesa e kam përcjellë, ditëve të fundit është rrit diku për 30-40% brenda 24 orëve, por mendoj se kjo duhet të rritet edhe më shumë”, tha ai në T7, shkruan Indeksonline.
Madje kryetari i Kamenicës, Qëndron Kastrati dekoroi se nuk është përshëndetur zakonisht me duar dhe se ka mundësi që virusin e ka marrë gjatë kohës kur ka qenë në veturë.
“Në kohën kur e kam marrë virusin nuk jemi përshëndetur me duar. E kemi shkëmbyer një shkrepcë për duhan dhe kemi shkuar në një aktivitete tjetër. Nuk kemi patur kontakte me duar pasi këtë edhe e kam fituar si shprehi si kryetar komune që të mos kem shtrëngim duarsh me qytetarët. Nga të gjitha rastet në Kamenicë, vetëm unë jam aktiv. Mundësia që të kem marrë virusin është kur kemi qenë në veturë. Ndoshta kemi prekur sipërfaqe të njëjta e ashtu është bartur virusi”, deklaroi ai.
Gjithashtu ai luti qytetarët që t’i respektojnë në përpikëri udhëzimet e ekspertëve.
“Lus qytetarët t’i respektojnë në përpikëri udhëzimet e ekspertëve sepse nuk e kemi luksin për izolimin që e kemi pas”, tha ai.