Këngë e valle edhe në Hamburg, tifozët e Kombëtares nisin marshimin drejt stadiumit

Pesë orë e ndajnë Kombëtaren shqiptare të futbollit nga ndeshja e dytë në grupin B, që do të luhet në 15:00 në Volksparkenstadion të Hamburgut.

Teksa pritet me kuriozitet të mësohet 11 titullare e teknikut Silvinjo, pasi me gjasë do të ketë 2 apo 3 ndryshime në formacion pas humbje me Italinë, tifozët nuk e kanë braktisur Kombëtaren as në këtë sfidë.

Qindra prej tyre të veshur me fanellat e Kombëtares, me flamuj e shaj në duar kanë nisur prej orës 09:00 të grumbullohen në “Jan-Fedder-Promenade”, aty ku edhe ka paralajmëruar tifogrupi “Tifozët Kuqezi”, se do të nisë marshimi drejt stadiumit.

TKZ në një njoftim të dytë në rrjetet sociale mbrëmjen e djeshme sqaronte se pritshmëria ishte tepër e lartë për numrin e tifozëve.

Për arsye sigurie organet e rendit në Hamburg kanë mbyllur rrugët përreth vendit ku tifozët po grumbullohen dhe do t’i shoqërojnë deri në pikën kur do të marrin metron dhe “shuttle bus” për t’iu drejtua stadiumit.

Në rrugë nuk mungojnë as efektivë nga Policia Shqiptare, të angazhuar për të mbarëvajtur rendin dhe sigurinë gjatë grumbullimeve të tifozëve kuqezi, të cilët janë kapur nga kamera e A2 CNN.