“Kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri”

Drejtoresha e Zonave të Mbrojtura në Vlorë, Lorela Lazaj në një deklaratë për mediat tha se kërkohet ndërhyrje urgjente nga ajri, lidhur me situatën e zjarreve në Vlorë. Sipas Lazajt, flaka ka përfshirë një sipërfaqe deri në 500 hektarë.

‘Situata është shumë kritike, në krahasim me ditën e djeshme ka një trend përmirësimi, jemi në ditën e pestë të zjarrit dhe e vetmja ndërhyrje është bërë nëpërmjet tokës. Sot janë gati 80 persona që janë shpërndarë në perimetrin e zjarrit dhe po mundohen që t’i neutralizojnë ato”, deklaroi Lazaj në fjalën e saj.

Drejtoresha shtoi se po punohet në kushte atmosferikë shumë të vështira si dhe në mungesë të pajisjeve teknike të specializuara për ndërhyrje të kësaj shkalle, por edhe të kushteve atmosferike pasi era që fryn favorizon flakët.

Sa i takon dëmeve, zyrtarja tha se dyshohet se ka prekur një sipërfaqe prej 500 hektarësh, por ende nuk ka një raport përfundimtar.

“U kemi kërkuar Emergjencave Civile, ndërhyrjen ajrore por nuk kemi pasur deri tani të mundur për shkak të arsyeve teknike dhe të gjitha përpjekjet tona janë fokusuar në pjesën tokësore. Është e pamundur nëse mbështetemi vetëm në rrugë tokësore”, nënvizoi Lazaj në përmbylljen e fjalës së saj.

Arrestimi
Më herët, policia njoftuar së të shtunën e 31 korrikut, është bërë ndalimi i një 25-vjeçari, për zjarrëvënie në Ksamil.

Ndërkaq, policia nënvizoi se vijon puna për vënien përpara përgjegjsisë ligjore të atyre shtetasve që kryejnë krime mjedisore.

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Stacionin e Policisë Sarandë, arrestuan në flagrancë për veprën penale “Shkatrrimi i pronës me zjarr”, shtetasin E. Z, 25 vjeç, banues në Ksamil, pasi mbrëmjen e djeshme, në kodrën në lagjen nr.1, Ksamil, ky shtetas dyshohet se ka djegur një sipërfaqe toke me shkurre dhe pemë ullishte.

Sipas deklaratës, materialet e provës i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Situata e zjarreve
Zjarret kanë përfshirë jugun e Shqipërisë, me vatra aktive në Ksamil, Tragjas dhe Karaburun. Më herët edhe zona e Dukatit u përfshi nga flakët por u arrit pas disa ditësh shuarja e tyre me mjete rrethanore.

Në zonën e Tragjasit dhe Karaburunit në Vlorë, zjarri ka prekur me qindra hektarë pyje dhe punonjësit e zjarrëfikëses po përpiqen ta shuajnë me mjete rrethanore.

Forcat Zjarrfikëse të qytetit të Vlorës janë nisur drejt vatrave të zjarrit.

Ende nuk ka asnjë ndërhyrje nga ajri, për të parandaluar zjarrin, nëpërmjet helikopterëve. Më herët, zjarri u vu nën kontroll, por faktori i erës ndikoi për djegjen e mëtejshme të malit.

Të premten e 30 korrikut, Ksamili është përfshirë nga flakët, duke avancuar edhe drejt zonave të banuara. Sipas të dhënave paraprake, përhapja e zjarrit është favorizuar nga era, duke prekur disa ullishte pranë banesave.

Në Sarandë gjenden dhe dy vatra aktive zjarri, përkatësisht në Vagalat dhe në Delvinë.

Në të dyja zonat paraqitet e njëjta situatë, me ullishte, shkurre dhe pemë frutore të shkrumbuara. Për të treja rastet, ka dyshime për zjarrvënie të qëllimshme.