Hetimi i Njësisë së Krimeve Ekonomike në koordinim me Prokurorin e Shtetit i nisur që disa javë rezultoi me identifikimin e dy zyrtarëve të Gjykatës Thenelore në Prishtinë të dyshuar për korrupsion. Dy zyrtarët e dyshuar tashmë ndodhen në ndalim policor dhe ndaj tyre pritet të ushtrohet edhe kërkesa për paraburgim.
Kush janë zyrtarët e arrestuar dhe cilat janë dyshimet që rëndojnë mbi ta?
Sinjali ka mësuar ekskluzivisht se bëhet fjalë për Ismajl Ismajlin dhe Deli Halilin – të dy zyrtarë në Zyrën e ekzekutimeve të dënimeve me burgim.
Ismajli dhe Halili janë ndaluar për shkak se të njëjtit dyshohen se kanë keqpërdorur detyrat zyrtare, më konkretisht dyshohen se kanë kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar”.
Dy zyrtarët e Gjykatës po hetohen nën dyshimin se kanë marrë të holla si ryshfet në mënyrë që të arrijnë të ndikojnë që persona të caktuar ndaj të cilëve ka pasur urdhëresa mos të dërgohen në burg.
Siç merr vesh Sinjali nga burimet e njëjta, zyrtarët e dyshuar kanë keqpërdorur detyrën e tyre dhe në një rast të caktuar pasi një i dënuar me burgim është dërguar në Gjykatë – të njëjtit i është “avulluar” urdhëresa.
Për “punën” që e kanë kryer duke vepruar kundërligjshëm, të njëjtit kanë përfituar para nga personat e dënuar nga Gjykata.
Lidhur me rastin është deklaruar edhe Policia dhe ka bërë të ditur se Prokuroria do t’i ndërmarrë veprimet e mëtejme ligjore, ndërsa ndaj kësaj çështjeje penale do të vazhdojnë të zhvillohen hetime në koordinim me Policinë e Kosovës.
Shënim: Personat e apostrofuar në këtë artikull prezumohen të pafajshëm derisa fajësia e tyre të mos provohet me vendim të formës së prerë nga gjykata.