Komisioni i rithemelimit futet në PD, shkelmohet dera e sallës së mbledhjeve

Sali Berisha dhe anëtarët e Komisionit të Rithemelimit në Partinë Demokratike hynë këtë të martë në selinë e Partisë Demokratike. Një mbështetës i PD shkelmoi derën e mbyllur të sallës ku mbahen konferencat për mediat në PD, e më pas të gjithë anëtarët u futën brenda.

Në një sallë tjetër, Lulzim Basha po zhvillon një mbledhje paralele me anëtarët e kryesisë së PD. Në sallë janë edhe mbështetës të Bashës por edhe truprojat e tij.

Komisioni i rithemelimit të PD është një organ i ri i krijuar nga kuvendi i 11 dhjetorit, që do të mbikëqyrë procesin e tranzicionit në PD, deri në votimin për një kryetar të ri, në muajin mars. Në kuvendin e 11 dhjetorit u votua për shkarkimin e Lulzim Bashës, vendim që u ratifikua me një referendum në degët e PD në të gjithë vendin.

Ky kuvend nuk njihet nga Lulzim Basha dhe kryesia e PD, të cilët organizuan një tjetër kuvend kombëtar më 18 dhjetor, ku përjashtuan Sali Berishën nga funksionet drejtuese të partisë, për shkak të shpalljes “non grata” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.