Duket se asfalti është thembra e Akilit e komunës së Podujevës, që udhëhiqet nga Shpejtim Bulliqi i Lëvizjes Vetëvendosje. Madje, komuna e Bulliqit mund të mbajë një rekord të zi pasi që rruga e shtuar e përuruar më 17 gusht, tashm është prishur. Për këtë plasaritje, komuna lë fajtore të reshat e shiut, ndërsa një asmablist i LDK-së, parti opozitare në Podujevë, e akuzon Bulliqin për shkelje ligjore.
Në kontratën, e nënshkruar më 22 prill të këtij viti, në mes të Komunës së Podujevës dhe kontaktuesit, që në këtë rast është operatori ekonomik “Bageri Company”, shuma në këtë kontratë është 184.667,68 euro.
Por, duket se ish-kompania ku ka punuar për vite Hysen Durmishi, tash zëvendësministër i Ministrisë së Infrastrukturës, nuk e ka kryer punën si duhet.
Nga disa fotografi të siguruara nga gazeta Nacionale shihet qartë që asfalti i sapo shtruar, tashmë është dëmtuar.
Në këtë kontratë thuhet se duhet shtruar asfaltimi në rrugën Brunicë – Konushec, Llaushë – Dobërdol, Dumosh – Sfeqël dhe Kaqibeg – Sibofc.
Madje, rrugën Brunicë – Konushec është përuruar nga Kryetari, Shpejtim Bulliqi me 17 gusht 2022, duke u krenuar se e njëjta rrugë po asfaltohet.
Nacionale ka dërguar pyetje në adresë të komunës së Podujevës në lidhje me këtë rast. Drejtor i Planifikimit Urban dhe Mbrojtjes së Mjedisit, Leutrim Krasniqi ka thënë për Nacionalen se kontrata me kompaninë e kontraktuar ende nuk ka përfunduar dhe se operatori do të bëjë riparimin e të gjitha pjesëve të dëmtuara.
“Sa i përket rrugës Burice – Konushec, janë paraqit disa plasaritje të asfaltit. Arsyeja kryesore qëndron në pjerrësinë tërthore të rrugës, pastaj të bazamentit ku reshjet e shiut kanë shkaktuar lëvizje të mases së dheut. Kontrata nuk ka përfunduar dhe se operatori do të bëjë riparimin e të gjitha pjesëve të dëmtuara”, ka thënë ai.
Gazeta Nacionale ka kontaktuar edhe me kompaninë nga Ferizaj, “Bageri Company”, dhe pas dy ditë insistimi, nga kompania kanë pasur një përgjigje interesante.
“S’un jom marr, po një kryepunëtor fola që e kom në Podujevë, në rregull tha jonë krejt, një defekt i vogël ka qenë dhe e kemi sanu tha. Po çka do që ka aty është garancioni që i mbulon të gjitha.”, deklaroi Valdrin Shabani nga “Bageri Company”.
Ndërsa, asambleisti nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Ekrem Rrahmani për Nacionalen, ka fajësuar qeverisjen komunale për këtë dështim.
“Po është ka ndodh një hajni në çdo rrugë që shtrohet ka edhe tjera kontrata që nuk i jepen më të lirit po cilen don kryetari. I shkel të gjitha ligjet e prokurimit. Edhe i rregullon në mënyrën më të keqe të mundshme. Me vet faktin që mbas një muaji nuk kalohet në atë rrugë nuk don koment.”, ka treguar ai.
Kritik ndaj qeverisjes komunale të Shpejtim Bulliqit është edhe anëtari i shoqërisë civile, Shemsi Jashari. Drejtori i OJQ-së “Demokracia fillon këtu”, që bazën e ka në Podujevë, ka thënë për Nacionalen se punët e kualitetit të dobët dhe pa asnjë kontrollë cilësie, po vazhdojnë në komunën e Podujevës.
“Përgjegjësinë direkte për këtë e kanë zyrtarët komunal përgjegjës për mbikqyrjën e projekteve dhe sidomos drejtoria e urbanizmit e cila është sponsoruese e projektit. Duket qartë se ka papergjegjësi dhe poashtu dyshime se mund të ketë edhe keqperdorime ngase është e palogjikshme pranimi teknik dhe të bëhët pagesa për një kualitet të tillë”, ka thënë Jashari.
Ai tutje ka thënë se ky kualitet i punëve në vend se të ndëshkohet duket se është shpërblyer me kontrata tjera çka na bënë të dyshojmë për fillimin e keqperdorimeve nga zyrtarët përgjegjës.
“Nëse nuk ndërhyhet nga komuna për të riparuar këto dëmtime duhet të fillohen hetime nga organet e ndjekjes pasi ka bazë për dyshime për keqperdorim i paras publike dhe korrupsionit”, ka përfunduar Jashari.
Kujtojmë, që Bulliqi ka rifituar zgjedhjet në këtë komunë vitin që shkoi, duke u zgjedhur për herë të dytë në krye të Podujevës nën siglën e LVV-së.