Ish-zëvendëskryeministri Arben Ahmetaj ka reaguar në lidhje me kontrollet e ushtruara sot (18 korrik) nga Byroja Kombëtare e Hetimit (BKH) në banesat e personave të dyshuar në aferën e inceneratorëve, mes tyre familjarë të tij.
Në një postim në Facebook, Ahmetaj e konsideron si “reprezaljen e radhës” ndaj familjarëve të tij, tek shton se edhe të moshuarve u janë marrë telefonat celularë “në kërkim të provave për inceneratorët”.
“Sot u bë raprezalja e radhës në familjen time, nga mosha 82 vjeç e poshtë. Madje pleqve iu janë marrë dhe celularët, në kërkim të provave për “inceneratorët”. Ndërsa “spin doctor”/kontakt inceneratorësh, ka qarkulluar lajmin e rremë se qenkan transferuar 1,8 milionë euro…Në vend të merren me fondet e inceneratorëve, merren me 1,8 milione euro imagjinarë. Fake neës e prodhuar në laboratorët e ortakërisë mediatike dhe jo vetëm, të inceneratorëve….”, shkruan Ahmetaj.
Disa urdhër kontrolle janë firmosur nga Gjykata e Posaçme pas kërkesës së SPAK, ndërsa anëtarë të BKH-së kanë zbarkuar në banesat e personave të dyshuar në këtë aferë, mes tyre familjarë të ish-zëvendës kryeministrit.
Sipas gazetarit të RTSH-së, Kreshnik Mersinllari, SPAK ka marrë edhe mandatin e arrestit për Ahmetajn, edhe pse ai ndodhet jashtë Shqipërisë. Nga ana e Prokurorisë së Posaçme nuk është dhënë asnjë detaj zyrtar i operacionit, por mësohet se në të njëjtën çështje janë vënë nën hetim edhe disa persona të tjerë , ish bashkëpunëtorë e biznesmenë.