Alma Beqiri, ish- agjente e shërbimit postar ADEX në Korçë, duket se kishte gjetur një mekanizëm mjaft të lakmueshëm për të përfituar miliona euro pa u lodhur shumë, duke blerë mallra tek persona të tjerë dhe duke raportuar fiktivisht se këto mallra ishin paguar, duke vielur një fitim marramendës prej afro 3 milionë eurosh nga kjo manovër.
Por ajo nuk ishte mjaftuar me kaq. Paratë e përfituara nga kjo skemë për vite me radhë, ajo i kishte investuar në pasuri në patundshme.
Por sa do e përsosur, skema e saj duket se nuk ka qenë aq perfekte pasi, pronari i kompanisë ku ajo punonte e kishte nuhatur se diçka nuk shkonte në regjistrin e llogarive të kompanisë. Ai më pas ka zbuluar se ajo që dukej si një ‘allishverish lokal’, në fakt rezultonte se ishte një skemë e mirëmenduar në një shkallë më të gjerë që i kishte kushtuar jo pak, por… 3 milionë euro.
Pasi ka zbuluar mashtrimin ai e ka denoncuar punonjësen e tij në prokurori. Gjatë kohës kur janë kryer veprimet hetimore ka rezultuar se Alma Beqiri kishte zhvatur jo pak, por 3 milionë euro. Prokuroria Korçë, pas disa muajsh hetime, ka dërguar tashmë në gjyq Alma Beqirin, ish- agjente e shërbimit postar ADEX në Korçë.
Ajo akuzohet se nëpërmjet mashtrimit ka përfituar shumën prej 3 milionë eurosh.
“Nga hetimet rezultoi se si agjente rajonale e shoqërisë postare “Adex”, me pronar viktimën F.Z., e pandehura ka kryer transaksione të shumëfishta fiktive duke blerë mallra tek persona të tjerë dhe duke raportuar fiktivisht se këto mallra ishin paguar. Në të njëjtën kohë, duke marrë pagesat e mallrave tek persona të tretë, e pandehura i ka raportuar si të paguara, por duke mos depozituar pagesat në llogarinë e shoqërisë Adex duke përfituar në këtë mënyrë nëpërmjet mashtrimit një vlerë rreth 3 milionë euro” informoi SPAK.
Skema e përvetësimit
46-vjeçarja akuzohet se pasi shpërndante pako të ndryshme postare, për llogari të subjekteve të treta shumat monetare që i arkëtonte nga klientët, nuk i ka derdhur në llogarinë e subjekteve tregtare shitëse dhe as tek kompania që kryente këtë shërbim.
Miliona eurot e përfituara nëpërmjet kësaj skeme ajo dyshohet se e ka investuar në blerjen e pasurive të paluajtshme dhe në biznese tregtare, në emër të saj dhe të familjarëve.