Ministria e Drejtësisë ka konfirmuar marrëveshjen për të liruar një hapësirë të institucioneve korrektuese për të burgosur nga sistemi i drejtësisë i Danimarkës.
Për marrëveshjen, foli të mërkurën edhe ministri i Drejtësisë i Danimarkës, Nick Haekkerup.
Bëhet fjalë për 300 të burgosur e për të cilët, Kosova do të përfitojë 210 milionë euro kompensim nga shteti danez. Marrëveshja do të firmoset më 20 dhjetor dhe do të vlejë 10 vjet.
“MD-ja njofton se janë pajtuar për një marrëveshje me institucionet e Mbretërisë së Danimarkës, respektivisht Ministrinë e Drejtësisë dhe Ministrinë e Bashkëpunimit Zhvillimor për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar. Ministria e Drejtësisë zotohet për lirimin e një institucioni korrektues me kapacitet për treqind të dënuar, të cilët do të sjellën nga Mbretëria e Danimarkës. Të dënuarit të cilët do të transferohen në këtë institucion nuk do të jenë të rrezikshmërisë së lartë. Si kompensim për këtë, Republika e Kosovës përfiton 210 milionë euro, të cilat do të dedikohen edhe në investime kapitale, në veçanti për energjinë e ripërtërishme”, thuhet në komunikatën e MD-së.
Sipas MD-së, nga ky kompensim do të përfitojnë në masë të madhe edhe institucionet e drejtësisë, po ashtu edhe Shërbimi Korrektues i Kosovës.
“Theksojmë që institucionet daneze i kanë vlerësuar pozitivisht trajtimin e të dënuarve në Kosovë dhe kapacitetet tona në këtë drejtim. Kjo është mundësi drejt një bashkëpunimi të afërt mes dy shteteve tona, duke thelluar partneritetin strategjik mes nesh. Nënshkrimi i letër-qëllimit, shprehja e vullnetit, mes të dy palëve, do të arrihet ditën e hënë, gjegjësisht, më 20 dhjetor të këtij viti pas vizitës së ministrave danez në Republikën e Kosovës. Marrëveshja parashihet të gjejë zbatim të plotë në periudhë dhjetë vjeçare”, thuhet në njoftim.
300 qelitë e dhëna hua për Danimarkën do të jenë në Burgun e Gjilanit
Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu ka treguar për marrëveshjen e arritur mes Kosovës e Danimarkës. Ajo ka thënë se të hënën në vizitë do të jetë homologu i saj danez Nick Haekkerup. Ajo ka treguar se 300 qelitë që do të jepen me qira do të jenë në Burgun e Gjilanit.
“Në momentin kur kam pranuar detyrën e ministres, jam njoftuar për një që kishte të bënte me shfrytëzimin e një qendre korrektuese si kërkesë e Danimarkës, qëllimi ishte që në 300 vende në një prej qendrave korrektuese në Kosovë të shfrytëzohen nga Danimarka, dhe për faktin aso kohe nuk kishin respektuar procedurat për marrëveshjen ndërkombëtare sepse është marrëveshje ndërkombëtare dhe ratifikimit nga Kuvendi, kam kërkuar që të ndiqen procedurat sikurse siç e parasheh ligji dhe e kemi kthyer në pikën zero”, tha Haxhiu raporton “Ekonomia Online. “Tani është arritur një marrëveshje në parim, ndonëse nuk ka asgjë të nënshkruar, dhe e pres në takim të hënën ministrin e Drejtësisë danez. Kjo marrëveshje përfshinë edhe përkrahje financiarë për Kosovën, ndonëse detaje nuk mund të jap dhe po ashtu investimi në energji të ripërtrishme e cila është nevojë emergjente për Kosovën dhe përkrahje tjera në sundimin e ligjit”.