Sipas raportit të rregullt vjetor të ASK-së, i titulluar “Vlerësimi i Popullsisë”, gjatë vitit 2021, afro 43 mijë persona e kanë lëshuar Kosovën.
“Emigrimi ndërkombëtar- numri i emigrantëve kosovarë gjatë vitit 2021 është vlerësuar të jetë gjithsej 42,728 banorë përfshirë emigrantët legalë dhe ata ilegalë”, thuhet në raport.
“Shtimi natyror në Kosovë në vitin 2021 ishte 14,391 banorë, ndërsa migrimi neto 38,606 banorë. Popullsia e Kosovës gjatë vitit 2021 u zvogëlua për 24,215 banorë”, saktëson tutje ASK-ja në raportin e publikuar në qershor të këtij viti.
Këto shifra të ikanakëve potencial nga Kosova, gjithsesi nuk janë të vetmet, ka edhe më shumë numra të atyre që kanë ikur dhe duan të ikin, edhe ilegalisht, edhe nëpërmjet garancioneve që ua dërgojnë të arfërmit gjithandej nga këto vende dhe të atyre që kanë viza të mëhershme dhe që vetëm përkohësisht janë kthyer në vendlindje.
Pra, statistikat zyrtare, nuk përfshijnë të gjithë numrin e kosovarëve që braktisin vendin e tyre. Sepse, për shumë prej tyre, as që dihet se kanë ikur jashtë vendit. Ata ikën pa paralajmërime, ilegalisht dhe nëpër rrugë të ndryshme. Por, e keqja e madhe bëhet nga braktisja e vendit nga truri, nga kosovarët e shkolluar dhe me profesione tepër të nevojshme për Kosovën e varfër. Dhe, ka kohë, mbase edhe disa vjet që “truri” i Kosovës po e braktis vendlindjen. Po lënë vendin edhe profesori, mjeku, inxhinierët, teknikët, punëtorë të shumtë të ndërtimtarisë, muratorë, latues, instalues prej më të ndryshmëve, gastronomë me diploma dhe pa to, dhe të tjerë profilesh të ndryshme.
Infermierët e shumtë nga Kosova që ka vite ikën në vendet e ndryshme perëndimore, në numër të madh janë rrëfim i veçantë dhe si i tillë duhet trajtuar. Ka vite që dy universitetet private në Kosovë kanë fakultete të infermierisë të licencuara dhe ato përgatisin infermierë për tregun perëndimor të punës. Numri enorm i tyre është lehtësisht i verifikueshëm, pasi që janë të regjistruara legalisht në këto fakultete dhe për këtë domosdo duhet të ketë statistika. Por, e ardhmja sa i përket braktisjes së vendit nga “truri”, pra nga kosovarët e shkolluar në vendin e tyre dhe për nevoja të këtij vendi, është edhe më e zymtë.
Në një dokumentar, prodhim medial i GazetaBlic, të transmetuar këto ditë në një nga televizionet e vendit, që pasqyronte trendin e largimit të mjekëve nga sektori publik dhe pasojat për sistemin shëndetësor të Kosovës, Pleurat Sejdiu, kryetar i Odës së Mjekëve, tha se brenda 5 vjetve të ardhshme do të ndihet kriza e madhe e mjekëve.
Sipas tij, vetëm në 4 vjetët e fundit Kosova ka humbur mbi 650 mjekë.
“Gjatë këtij viti janë 174 mjekë, të cilët janë larguar. Është një numër më i madh se sa viti i kaluar, kur kishin ikur 150 për 12 muaj, kurse në këtë 9 mujor mbi 170 dhe fatkeqësisht i afrohet numrit 200 nëse ky trend vazhdon. Në momentin kur bëhet liberalizimi i vizave, ky numër do të jetë shumë më i madh, sepse kontakti do të jetë shumë më i lehtë i mjekëve të interesuar nga Kosova dhe punëmarrësve të cilët janë të shumtë, në Gjermani sidomos”, tha ai.
Ndërkohë, Sindikata e Punëtorëve Shëndetësorë të QKUK-së përmes një komunikate për media ka thënë se është duke e përcjellë me shqetësim të madh ikjen e profesionistëve shëndetësorë nga QKUK-ja, e në veçanti të infermierëve. Sipas sindikalistëve shëndetësorë, në përgatitje për largim gjatë vitit 2023 janë edhe rreth 1500 infermierë.
“Janë pikërisht infermierët e Mjekimit Intensiv, Teknikët e Anestezionit, instrumentarët, infermierët e Qendrës Emergjente, ndërsa në përgjithësi infermierët kualitativ dhe me eksperiencë, ata që po targetohen dhe rekrutohen nga punëdhënësit e huaj, ndërsa ikja e tyre do t’i vendoste para kolapsit total secilën nga këto klinika të lartpërmendura, pasi janë pikërisht këta profesionistë që i mbajnë këto klinika pavarësisht mungesës së mjekëve”, thuhet në njoftimin e sindikalistëve.
Duhet thënë se si punëtorët e profileve më pak të shkolluara, si ata që kanë shkollim të lartë po e lënë Kosovën për një jetë më të mirë, më të dinjitetshme, për paga më të mira dhe për kushte pune më të favorshme.
“Pjesa dërmuese e emigrantëve për vitin 2021 ishin emigrantë të ligjshëm. Emigrimi legal ishte për shkak të bashkimit familjar, martesave, gjetjes së një vendi pune, shpërnguljes së përhershme (kryesisht në shtetet fqinje), studime afatgjata me punësim etj. Përveç në vende të BE-së dhe EFTA-s, një numër i kosovarëve ka emigruar edhe në vende të tjera, kryesisht në ShBA, Turqi, Kanada dhe vende të tjera”, theksohet në raportin e ASK-së.
Kontradita dhe çrregullimi i tregut të punës bëhet edhe më i theksueshëm kur kihet parasysh numri i madh, madje enorm i të papunëve, që janë të regjistruar në insitucionet zyrtare të punësimit në vend dhe numri edhe më i madh i atyre që për shkak të humbjes së shpresës, nuk regjistrohen asnjeherë në këto institucione.
Mbi 80 mijë të papunë janë të regjistruar në Agjencinë e Punësimit në Kosovë, por bizneset vazhdojnë tashmë të ankohen për mungesë të fuqisë punëtore.
“Problemi i ikjes, sipas analizave, janë kushtet e punës dhe pagat e ulëta”, theksojnë në Agjencinë e Punësimit të Kosovës.
Duhet theksuar se një nga problemet është edhe papunësia e madhe dhe vështirësitë evidente për ta gjetur një vend pune këtu. Dhe prandaj është krijuar anomalia “Shumë të papunë në Kosovë dhe mungojnë punëtorët”.
Ndërsa, nga hulumtimet që janë bërë me qytetarët e Kosovës mbi motivet e migrimit, niveli i pagës, mundësitë e zhillimit në karrierë dhe kushtet më të mira për jetë, përmenden si shtytësit kryesor për të emigruar.
Është problem për tregun e punës këtu, pra për të gjetur një punë në Kosovë, edhe përgatitja e duhur profesionale për profesione të caktuara gjatë shkollimit, theksojnë njohësit e këtyre rrethanave. Sepse në Kosovë ka një mospërputhje të kërkesave të tregut me profilet e studimeve që nga shkollat e mesme profesionale dhe universitetet.
“Papunësia në Kosovë, sidomos në mesin e të rinjëve dhe grave mbetet mjaft e lartë. Shkalla e të papunëve të diplomuar është po ashtu e lartë. Ajo çfarë ne kemi vërejtur është se në vendin tonë shkalla e mospërputhjes mes arsimit dhe nevojave të tregut të punës është po ashtu mjaft e lartë. Kjo nënkupton se nuk kemi arritur të harmonizojmë arsimin me tregun e punës, nuk kemi ofruar mjaft programe për trajnim dhe aftësim për profesionet në kërkim nga tregu i punës, dhe nuk kemi arritur të vendosim meritokraci në punësimet publike”, i ka thënë Buletinit Ekonomik kohë më parë drejtori për hulumtime në Institutin GAP, Jeton Mehmeti.
Sipas tij, janë disa industri dhe shërbime në Kosovë që rrezikojnë të mbeten pa punëtorë të kualifikuar, nëse trendi i emigrimit vazhdon. Ato janë TIK-u, kujdesi shëndetësor, gastronomia dhe ndërtimtaria. Në fakt, disa prej këtyre industrive paraqesin edhe nevojën më të madhe për punëtorë në Gjermani, Slloveni e Kroaci, ku edhe trendi i emigrimit është më i madh.
Sipas hulumtimeve të bëra nga GAP me qytetarët e Kosovës mbi motivet e migrimit, niveli i pagës, mundësitë e zhillimit në karrierë dhe kushtet më të mira për jetë, përmenden si shtytësit kryesor për të emigruar.
Sido që të jetë, në disa asociacione që trajtojnë problemet e migrimet të kosovarëve, mendojnë se Qeveria e Kosovës duhet të hartojë një plan ose një strategji për të zvogëluar emigrimin e atyre nga profesionet që kanë deficite të fuqisë punëtore dhe produktivitet të lartë. Strategjia duhet të sjellë stimuj të ndryshëm siç janë grantet për bizneset fillestare (start-up) dhe/ose masa të tjera të politikave që do ta mbajnë fuqinë punëtore në Kosovë. Edhe marrëveshjet e punës sezonale mund të shihen si një mundësi për profesionet ku Kosova ka shkallë të ulët të papunësisë. Diçka duhet të ndërmerret për të zbutur këtë problem. Këtë po e kërkojnë të gjithë, aq më parë kur po shihet se me këtë vrull të ikjeve masive dhe paralajmërimeve të panumërta për ta lënë vendin një orë e më parë, ose në çdo rast kur t’u ipet edhe mundësia më e vogël, patjetër që rrezikohet Kosova të mbesë pa krahë pune dhe pa kuadro të nevojshme, që vet i shkolloi dhe i përgatiti profesionalisht. Të mbetet pra pa mjekë, pa infermierë, pa njerëz të aftësuar dhe të ditur në fushën e teknologjisë informative, pa latues e muratorë… /Buletini Ekonomik