Një 53-vjeçar nga Kosova është arrestuar nga Policia e Çikagos në aeroplan pak minuta para nisjes, pasi është kapur me armë të mbushur. Bëhet fjalë për Besnik Ismajlajn nga Gjilani, i cili siç raportojnë mediat arriti të kalonte sigurimin me armë gjatë ndërrimit të turnit në një pikë kontrolli.
Rasti ka ndodhur muajin e kaluar, ku Ismajlaj kishte futur në aeroplan një pistoletë të tipit “Glock 9mm”, përmes çantës së dorës, shkruan “The New York Post”, përcjell Reporteri.net.
Pamjet nga kamerat e trupit të policëve tregojnë Ismajlajn të ulur në “First Class”, kur autoritetet hipin në avion dhe e shoqërojnë jashtë. Kur oficerët e pyetën nëse e dinte pse ishin aty, ai u përgjigj: “Po, është në çantën time,” sipas një raporti policie të siguruar nga CBS News. “E kam harruar,” u thotë ai oficerëve pasi del nga avioni dhe i vendosen prangat, siç shihet në video.
Ismajlaj duket i qetë dhe bashkëpunues ndërsa oficerët kontrollojnë çantën e tij dhe gjejnë armën, sipas videos. Ai kishte kaluar me armën në Pikën e Sigurisë Nr. 2 në Terminalin 1 të O’Hare më 15 prill, gjatë një ndërrimi të personelit të TSA-së ( Sigurimi i Aeroportit).
Një agjent i TSA-së pranoi se kishte parë armën në makinerinë me rreze X, por Ismajlaj futi dorën, mori çantën dhe vazhdoi për në fluturimin e tij para se ta ndalonin, thanë zyrtarët e TSA-së sipas CBS.
Një udhëtar që po priste në rend ka përshkruar Ismajlajn si personin që mbante armën.
Pasi u nxor nga avioni dhe u arrestua, videoja tregon policët duke e futur në pjesën e pasme të një furgoni policie në pistë dhe më pas duke e dërguar në një dhomë ndalimi ku i lexohen të drejtat.
Ismajlaj është akuzuar për një vepër penale të shkallës së ulët (kundërvajtje) për mbajtje të një arme të fshehur në aeroport.
Ai pritet të dalë në gjyq më 9 qershor.