Raketat ruse kanë goditur teatrin e qytetit në Mariupol ku dyshohet se strehoheshin rreth 1200 civilë, duke shënuar në këtë mënyrë një tjetër krim lufte të kryer në Ukrainë.
Nënkryetari i bashkisë së Mariupolit, Serhiy Orlov, deklaroi për BBC se aty ndodheshin midis 1000 dhe 1200 njerëz, pasi shumë banorë u fshehën në teatër me fëmijë të vegjël.
Për momentin nuk dihet numri i të vdekurve dhe të plagosurve.
Ky teatër ishte një strehë në të cilën banorët e Mariupolit të rrethuar shpëtuan nga granatimet e vazhdueshme.
‘Nuk dihet sa njerëz vdiqën nën rrënoja. Tani ka beteja të ashpra. Askush nuk mund të shkojë në rrënoja, nuk e dimë nëse ka të shpëtuar. Dhe më e keqja është se nuk mund t’i nxjerrim nga rrënojat. Shumë banorë të Mariupolit u fshehën në teatër me fëmijë të vegjël’, thuhet në deklaratë.