Gjykata e Apelit ka vërtetuar të martën dënimin për ish-ministrin e Administrimit të Pushtetit Lokal, Ivan Todosijeviq, i cili i pati quajtur shqiptarët terroristë dhe e pati mohuar Masakrën e Reçakut.
Vitin e kaluar, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi Todosijeviqin me një vjet burgim për nxitje të urrejtjes gjatë një deklarate të bërë në një tubim në Zveçan më 2019.
Kolegji i Apelit i kryesuar nga gjyqtari Bashkim Hyseni ka gjetur se Themelorja i ka vërtetuar si duhet rrethanat e rastit dhe e ka zbatuar drejt ligjin.
“Kolegji gjen se, gjykata e shkallës së parë drejt dhe në mënyrë të plotë ka vërtetuar gjendjen faktike, pasi që rezulton se në veprimet e të akuzuarit janë konsumuar elementet e veprës penale nga neni 147 paragrafi 1 i KPRK-ës, rrjedhimisht drejt është aplikuar edhe ligji penal në raport me të akuzuarin kur e ka shpallur fajtor për këtë vepër penale, pasi që faktet dhe rrethanat nën të cilat është kryer vepra penale konsumojnë elementet e figurës bazë të veprës penale, nxitja e urrejtjes, përçarjes ose mosdurimit kombëtar, racor, fetar apo etnik nga neni 147 paragrafi 1 i KPRK-së”, thuhet në vendimin e Apelit.
Me këtë vendim, Apeli i ka refuzuar si të pabazuara ankesën e mbrojtjes së të akuzuarit, si dhe atë të Prokurorisë Speciale, që kishte kërkuar rritje të dënimit, duke u bazuar në atë se Todosijeviqi ishte ministër.
Apeli ka refuzuar edhe kërkesën e mbrojtjes, e cila argumentoi se Todosijeviqi e ka ushtruar të drejtën e lirisë së shprehjes dhe se mohimi i Masakrës së Reçakut nuk është njëjtë sikur të mohohet Holokausti.
“Po ashtu, paragrafi 2 i nenit 40 të Kushtetutës së vendit ka përcaktuar kufizimet e kësaj të drejte, “Liria e shprehjes mund të kufizohet me ligj në raste kur një gjë e tillë është e domosdoshme për parandalimin e nxitjes dhe provokimit të dhunës dhe armiqësive në baza të urrejtjes racore, kombëtare, etnike ose fetare””, thuhet në vendim.
Todosijeviqi pati deklaruar se Reçaku është shpikje e shqiptarëve, të cilët i quajti terroristë.
Më 5 dhjetor 2019, kryetari aktual Komunës paralele të Zveçanit, ishte dënuar me dy vjet burgim nga Gjykata Themelore në Prishtinë. Apeli ia vërtetoi dënimin në gusht të 2021-tës, ndërsa në dhjetor të po atij viti rasti u kthye në rigjykim nga Supremja.
Todosijeviqi është anëtar i Kryesisë së Listës Serbe.