Kur do të mund t’i marrin qytetarët 170 eurot nga qeveria? Tregon ministrja Bajrami

Ka kaluar kohë e gjatë që kur qytetarët e Kosovës janë në pritje të 170 eurove nga qeveria e Kosovës, si pjesë e pakos emergjente, për të ndihmuar bizneset dhe qytetarët në këtë kohë kur mbarë vendi e globi po përballen me pandeminë Covid-19, transmeton IndeksOnline.

E sot deputetët votuan në lexim të parë projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e buxhetit për vitin 2020.

Mirëpo kjo nuk nënkupton se menjëherë pas këtij rishikimi i cili ishte problem kryesore pse ende këto para nuk e ekzekutuan siç tha Qeveria.

Këtë e ka bërë të ditur ministrja e Financave Hykmete Bajrami.

Ajo ka thënë se pas votimit në lexim të dytë të projektbuxhetit, qytetarët do të mund të presin këto para të premtuara.

Njoftimi i saj në Facebook:

NJOFTIM

Sot, me datë 13 korrik 2020, Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar në lexim të parë Projektligjin nr. 07/L-014 për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit nr.07/L-001 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2020.

Ministria e Financave falënderon deputetët e Kuvendit të Republikës së Kosovës për mbështetjen e tyre për projektligjin për rishikimin e buxhetit 2020 dhe kërkon që projektligji të procedohet sa më shpejt në komisione parlamentare në mënyrë që i njëjti të sillet në Kuvend për votimin përfundimtar.

Ministria e Financave njofton opinionin se menjëherë pas miratimit të projekt-ligjit në leximin e dytë, dhe hyrjes së tij në fuqi do të krijohet mundësia ligjore për ekzekutimin e pagesave të mbetura për të gjithë përfituesit nga pakoja emergjente fiskale të cilët janë në pritje dhe të gjitha ndarjeve tjera buxhetore.

Ministria e Financave fton për durim të gjithë përfituesit dhe shpreh zotimin e plotë se ekzekutimi i pagesave do të realizohet në mënyrë të menjëhershme sapo projektligji të hyjë në fuqi.