Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti tha se ka zhvilluar një bisedë telefonike me Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken lidhur me ndihmën që Kosova ka ofruar në strehimin e afganëve të cilët janë evakuuar nga Afganistani pasi talibanët morën kontrollin e vendit.
“Kosova është e nderuar të ofrojë një mjedis të sigurt për qytetarët afganë gjatë tranzicionit të tyre. Aleanca jonë me SHBA-në është e palëkundur dhe miqësia jonë po bëhet më e fortë”, tha Kurti përmes një postimi në rrjetin social Twitter.
Ai shtoi se Sekretari Blinken i ka shprehur Kosovës mirënjohjen në emër të presidentit amerikan, Joe Biden për bashkëpunimin dhe ndihmën.
Kontaktet e udhëheqësve shtetërorë të Kosovës dhe atyre të SHBA-së janë shpeshtuar që prej se në Kosovë kanë filluar të arrijnë grupe të afganëve që janë evakuuar nga Afganistani.
Më 2 shtator edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani zhvilloi një bisedë telefonike me nënpresidenten e SHBA-së, Kamala Harris.
Shtëpia e Bardhë pati thënë përmes një njoftimi se nënpresidentja Harris shprehu mirënjohjen e Shteteve të Bashkuara për ndihmën e Kosovës në përpjekjet e evakuimit nga Afganistani.
Më 16 gusht Kosova miratoi kërkesën e Shteteve të Bashkuara për të strehuar një numër afganësh që kanë punuar me forcat e huaja gjatë 20 vjetësh të luftës në Afganistan dhe të cilët ndjehen të pasigurtë nën sundimin e talibanëve, të cilët e morën kontrollin e Afganistanit, pas tërheqjes së ushtarëve amerikanë dhe të vendeve aleate.
Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla tha për Radion Evropa e Lirë të hënën se deri më tani në Kosovë janë strehuar përkohësisht 683 shtetas afganë.
Sveçla bëri të ditur se përveç kampit Bechtel-Enka në Ferizaj, afganët tani po strehohen edhe në kampin ushtarak amerikan, Bondsteel. Aty, aktualisht janë strehuar 91 afganë.
Ministri Sveçla po ashtu bëri të ditur se sipas planit, ardhja e qytetarëve afganë do vazhdojë edhe gjatë kësaj jave.
Kryeministri Edi Rama ka deklaruar në një intervistë për Euronews se protestat kundër projektit të…
Gjashtë shtetas shqiptarë të shpallur në kërkim ndërkombëtar janë ekstraduar nga Emiratet e Bashkuara Arabe…
Kryetari i Mitrovicës së Veriut, Milan Radojeviç, të premten është shoqëruar në Policinë e Kosovës,…
Një pamje gjithnjë e më e zakonshme në ujërat e Gjirit të Orikumit është shfaqja…
Kryeministri britanik Sir Keir Starmer ka akuzuar miliarderin e teknologjisë Elon Musk se po përpiqet…
Ish deputeti i PD, Edmond Spaho ka reaguar ashpër për protestën kundër investimit në Zvërnec,…