Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka bërë një denoncim publik duke përmendur emrat e dy kompanive – njëra prej të cilave besohet të jetë e lidhur me politikanin Sami Lushtaku.
Kurti përmendi dy djegiet e veturës që i kishin ndodhur Musa Vitisë, Drejtorit të Njësisë së Auditimit të Brendshëm të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës.
Vitisë i ishte djegur vetura më 7 tetor por edhe më 19 gusht në parkingun e administratës së QKUK-së.
Njëra veturë e tij kishte qenë Audi, një tjetër kishte qenë e markës Mercedes.
Dy kompani janë përgjegjëse për sigurimin fizik të asaj hapësire, mes të cilave edhe “Security Code” dhe e cila u përmend nga vetë Kurti.
“Dy kompanitë, “Security Code”, përgjegjëse për sigurimin fizik dhe “Quantic”, përgjegjëse për mbikëqyrjen e kamerave kanë dështuar në kryerjen e punës së tyre… Të korruptuarit dhe kriminelët zjarrvënës e kanë vendin në burg, e jo jashtë tij ku lirinë e përdorin si mundësi për të përsëritur krimin. ” – tha z. Kurti në statusin e tij.
Kurti kishte qenë në vizitë në Shërbimin Spitalor, dhe e gjithë ideja ishte se të gjeturat e Auditorit kishin motivuar zjarrëvënësit në aktin e tyre.
Nuk dihet se çka përmbajnë të gjeturat e Auditorit, dhe se për çka specifikisht mund të ketë pasur fjalën kryeministri i vendit.
Lushtaku
Milazim Lushtaku është bashkaksionar i kompanisë së përmendur nga Albin Kurti. E Milazimi, është pjesë e familjes së Sami Lushtakut, politikanit të njohur të PDK-së që kryen funksionin e nënkryetarit të komunës së Skënderajt.
Gazeta Nacionale nuk ka pasur mundësi të kontaktojë me z. Milazim Lushtaku, por megjithatë ka kontaktuar me z. Sami Lushtaku.
Ky i fundit e cilësoi si sulm të motivuar politikisht.
“Edhe Serbia qishtu na ka ndjek si Albin Kurti… (A e keni kushëri, Milazim Lushtakun?) Po, po, jo kushëri po djal të vëllaut tem.” – tha fillimisht ai.
“Ai është marrë me këtë kompani për shkakun tim, Normal.” – vazhdoi më pas.
Bashkë me Kurtin në vizitën mëngjesore në ShSKUK ishte u.d. e ministres së Shëndetësisë, znj. Dafina Gexha-Bunjaku, por edhe zyrtarë të tjerë përfshirë Musa Vitinë.