Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka zhvilluar bisedë telefonike me kongresistin amerikan Eliot Engel. Temë diskutimi ishin pandemia Covid-19 dhe situata politike.
Kurti thotë se e ka falënderuar për angazhimin e tij për Kosovën.
“Kënaqësi të bisedoj me kryesuesin e Komitetit për Marrëdhënie me Jashtë në Dhomën e Përfaqësuesve, kongresistin Engel. Z. Engel ka kaluar tri dekada në Ballkan dhe ka njohuri të thella për rajonin. E falënderova për rolin dhe angazhimin e tij aktiv ndaj Kosovës dhe njerëzve të saj”, njoftoi Kurti përmes një cicërime në Twitter.
Kurti thotë se me Engelin kanë biseduar lidhur me situatën pandemike me Covid-19 por gjithashtu, edhe atë politike.
“Biseduam për situatën me COVID-19 në të dy vendet. Z. Engel gjithashtu shprehu shqetësimet e tij lidhur me politikën aktuale të SHBA-së ndaj Kosovës. Ne theksuam rëndësinë e marrëdhënieve të koordinuara transatlantike midis SHBA-së dhe Bashkimit Evropian si mënyrën e vetme për të garantuar paqe, demokraci dhe përparim në Ballkanin Perëndimor”, përfundoi Kurti.