Presidenti Hashim Thaçi, gjatë ditës së premte, ka ftuar zyrtarisht liderin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti për të caktuar mandatarin për formimin e Qeverisë.
Por, Kurti ka refuzuar dy takimet e ftuara nga Presidenti i vendit.
Thaçi kishte caktuar në orën 13:30 në kabinetin e Presidentit të Kosovës, por Kurti kishte refuzuar me pretekstin se nuk gjendet në Prishtinë.
“E ka të pamundur kryetari të shkojë sepse është jashtë Prishtinës. Ai do ta njoftojë Presidentin për orët dhe ditët kur mundet”, thuhet në përgjigjen e VV-së.
Por, Thaçi nuk ka heztuar t’i çojë sërish ftesë Kurtit për takim konsultativ për mandatim të Qeverisë.
Sipas ftesës, takimi ishte thirrur për orën 20:00. E Kurti përmes një letre tjetër, sërish ka refuzuar.
Pas gjithë kësaj, lideri i LVV-së, ka folur për mediat, në ndejën e fundvitit që partia e tij e ka organizuar në një prej restoranteve në Prishtinë.
“Kam marrë sot dy ftesa, por agjenda e krerëve të shtetit është shumë e ngjeshur. Prandaj nuk mund të takohemi ashtu, përveç kur ka ndonjë fatkeqësi ose ndonjë urgjencë tjetër”, ka thënë Kurti.
Ai ka deklaruar se do të takohet me Thaçin, por që paraprakisht ka potencuar se do të shqyrtoj nenet që janë përmendur.
“ Kam qenë në Shkup dhe unë nuk e kam agjendën sot për sot”, ka thënë shkurt Kurti.