Kurti nga Greqia ngre alarmin, përmend planet e Serbisë dhe Rusisë: Pas Ukrainës, Ballkani do të jetë episodi numër tre!

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, po merr pjesë në Simpoziumin Symi, të 24-in me radhë në Athinë.

Në ditën e parë të simpoziumit, kryeministri Kurti diskutoi në panelin “Implikimet e luftës në Ukrainë:  Strategjia e re për shtyrjen përpara të hyrjes në BE të Ballkanit Perëndimor? Mundësitë dhe skenarët”.

Në diskutimin e tij, kryeministri theksoi të arriturat në vitin e parë të qeverisjes, përmirësimin e indikatorëve ekonomikë dhe demokratikë, si rezultat i stabilitetit institucional, njofton zyra e kryeministrisë.

Ai tha se Kosova është storie e dyfishtë suksesi. Në njërën anë është storie suksesi e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, për të ndalur gjenocidin serb të regjimit të Millosheviqit, ndërsa në anën tjetër, siç u shpreh kryeministri, është storie suksesi e kombinimit të rritjes ekonomike me demokracinë kualitative.

Sa i përket integrimit në Bashkimin European, kryeministri shprehu besimin që rruga më e mirë përpara është me Procesin e Berlinit, pas fillimit të ri të nisur nga kancelari Scholz. Ky Proces i Berlinit 2.0, siç e quajti kryeministri Kurti, do të sillte tregun e përbashkët rajonal dhe BE-në si vlerë dhe mekanizëm brenda të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

“Kur them vlera europiane mendoj sundim i ligjit, të drejtat e njeriut, të drejtat qytetare, ballafaqimi me të kaluarën, demokratizimi, liria e mediave, të drejtat e minoriteteve”, tha ai, përcjell “Bota sot”.

Për invazionin rus dhe agresionin ushtarak në Ukrainë, kryeministri tha se është detyrë urgjente për BE-në, dhe se beson që përveç shfaqjes së empatisë, simpatisë dhe solidaritetit ndaj popullit të Ukrainës dhe përpjekjeve të tyre për çlirim, duhet të bëjmë gjithë atë që mundemi t’ju ndihmojmë atyre që ta çlirojnë veten.

Kryeministri Kurti theksoi se BE-ja dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojnë më shumë sepse siguria dhe mbrojtja e Evropës së këtij shekulli do të vendoset në këtë dekadë.

Fjala e plotë e kryeministrit Kurti:

Mirëdita,

Është nder dhe kënaqësi e madhe të jesh në Symi, të kthehesh këtu dhe mendoj se nuk ka njerëz që nuk kthehen këtu. Është forum i madh i politikës progresive, i socialdemokratëve dhe të gjelbërve.

Kemi pasur një vit të parë mjaft të mirë në qeveri pas fitores plebishitare të vitit të kaluar, në shkurt të vitit të kaluar. Kemi pasur stabilitet institucional që na mundësoi të kemi rritje impresive ekonomike prej 10,3 për qind të bruto produktit vendor, rritjen e parë dyshifrore ndonjëherë pas çlirimit, më 1999.

Investimet e huaja direkte janë rritur për 22 për qind, të hyrat tatimore 54 për qind, pa ndryshuar politikën fiskale. Mendoj që kur kanë shpresa njerëzit më shumë shpenzojnë sesa kursejnë, dhe kur shohin se nuk ka korrupsion në qeveri kanë më shumë gatishmëri që të paguajnë taksat.

Pastaj kemi pasur rritje në investimet kapitale 10,3 për qind, i kemi shtuar 25,000 vende të reja në tregun e punës dhe kemi pasur rritje të eksporteve 83, 6 për qind përkundër bazës së ulët, eksportet janë rritur 83,6 për qind, procesimi i lëndëve të drurit, lëkurës, tekstilit, ushqimit, pijeve dhe sektorit të ICT.    

Jemi ngritur për 17 vende në antikorrupsion, në indeksin e percepcionit të antikorrupsionit dhe po ashtu jemi ngritur për 17 vende në indeksin e lirisë së medias, në indeksin e World Freedom.  

Sipas World Justice Project, për vlerësimin e sundimit të ligjit, Kosova është e 60-ta në botë dhe e para ndër gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. I kemi mirëpritur rreth 1500 refugjatë afganë, 5 për qind e të cilëve janë ende në Kosovë dhe jemi shprehur të gatshëm të pranojmë deri në 5000 refugjatë ukrainas.

Sot katër gazetarë nga Ukraina u bënë qytetarë, banorë të kryeqytetit tonë Prishtinës, përveç katër gazetarëve që tashmë po punojnë nga Prishtina duke informuar njerëzit e Ukrainës dhe jo vetëm.

Ky ishte një vit i rritjes ekonomike dhe kundër korrupsionit, i qeverisë socialdemokratike me stabilitet institucional. Kemi pasur Pakon e Ringjalljes Ekonomike, 7 për qind të bruto produktit vendor për ata që kanë humbur vendet e punës, për profilizimim në vendet e punës, për prodhimin vendor, rritjen e eksporteve, përkrahje të familjeve, përkrahjen për punëtorët shëndetësorë dhe policinë gjatë pandemisë COVID-19 dhe shumë e shumë të tjera.

Arsimin publik e kemi bërë falas edhe në nivelin universitar dhe e kemi rritur veçanërisht numrin e bursave të shkollimit për vajzat studente në STEM dhe për minoritetet. Sepse studentet në përgjithësi janë më të mira se studentët, por pasi që diplomojnë ato përfundojnë në sektorin publik, ku pagat janë mjaft të ulëta, ndërsa djemtë shkojnë në sektorin privat, ku pagat janë më të larta, posaçërisht në sektorin e IT. Në afat të mesëm ne e shohim këtë si një hendek social që duam ta parandalojmë. Kjo është arsyeja që kur kemi të bëjmë me studimet për STEM ne po u japim përparësi të madhe vajzave.

Kemi rritur buxhetin për subvencionimin për hektar për grurë dhe po përkrahim bujqësinë si asnjë qeveri para neve. Po i japim fund informalitetit dhe monopoleve në ekonomi, kemi kapur 1.1 ton narkotikë, kemi shkatërruar 54 grupe kriminale, 270 zyrtarë shtetërorë dhe publikë  janë arrestuar për korrupsion dhe keqpërdorim të detyrës në vitin e parë të mandatit tonë katërvjeçar.

Ne besojmë që Kosova është storie e dyfishtë suksesi. Në njërën anë është storie suksesi e ndërhyrjes së NATO-s në vitin 1999, për të ndalur gjenocidin serb të regjimit të Millosheviqit. Ia ka vlejtur intervenimi në Kosovë.

Dhe po ashtu ne jemi storie suksesi e kombinimit të rritjes ekonomike me demokracinë kualitative. Sepse siç e dimë janë disa superfuqi që duan të dëshmojnë se zhvillimit ekonomik nuk i duhet demokracia, në të vërtetë se autokracia është më e mirë sepse sjellë  stabilitet të sigurt.

Por ne po dëshmojmë se ekonomia dhe demokracia mund të ecin krahas njëra tjetrës dhe kjo është shumë e rëndësishme sepse është një përpjekje shumë e madhe rreth diskursit, rreth narrativës në shek. 21. Ne nuk jemi vend shumë i madh, por jemi shembull shumë i mirë i zhvillimit ekonomik dhe demokracisë kualitative që ecin së bashku.

Autokracitë janë të rrezikshme gjithkund, jo vetëm Federata Ruse, dhe unë besoj që favorizimi i stabilitetit politik para reformave demokratike i ka sjellë në skenë këta autokratë.            

Për shumë kohë kemi favorizuar stabilitetin politik para reformave demokratike. Kanë kaluar 227 vjet qëkur Immanuel Kant solli esenë e tij të famshme “Paqja e përhershme – demokracitë nuk e luftojnë njëra-tjetrën”.    

Dhe ne mund ta shohim këtë në rastin e invazionit dhe agresionit ushtarak rus në Ukrainë. Po të ishte Federata Ruse demokratike nuk do ta sulmonte Ukrainën. Këtu ka edhe një kontrast, nuk është vetëm autokracia kundër  demokracisë, por edhe e Republikës kundër Perandorisë, sepse mendoj që jetojmë në kohë të vështirë kur luftohet Republika. Njerëz që nuk besojnë në të drejtat qytetare, të drejtat e njeriut, që nuk besojnë në barazi, por në fuqi, vetëm në fuqi, të cilën e shfrytëzojnë, e keqpërdorin, e ushtrojnë dhe pastaj i kemi këto pasoja.

Sa i përket integrimit në Bashkimin Europian besoj që e kemi rrugën më të mirë përpara me Procesin e Berlinit, nëse mund ta quaj 2.0, pas fillimit të ri të nisur nga kancelari Sholz që po e presim të gjithë në vjeshtën e këtij viti.  Ky Proces i Berlinit 2.0, do të sillte tregun e përbashkët rajonal dhe BE-në si vlerë dhe mekanizëm brenda të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor.

Kur them vlera europiane mendoj sundim i ligjit, të drejtat e njeriut, të drejtat qytetare, ballafaqimi me të kaluarën, demokratizimi, liria e mediave, të drejtat e minoriteteve.

Mendoj që me kancelarin Sholz në Berlin dhe Presidentin Biden si liderin kryesor progresiv botëror aktualisht në Shtëpinë e Bardhë, mund të forcojmë transatlantiken përtej aspektit të sigurisë. Po ashtu edhe në terma të pikëpamjeve socialdemokratike, progresive të botës. Koha po tregon që disi BE-ja në një mënyrë i është lënë të majtës. Sepse faktorët dhe qeveritë e djathta e dëshirojnë një BE të dobësuar për përfitimet e tyre nacionale.

Janë socialdemokratët, të majtët, të cilëve u është lënë BE-ja si procesi kryesor historik dhe projekti politik i paqes dhe prosperitetit në Evropë që nga Lufta e Dytë Botërore. Të majtët duhet të kenë kurajën që të përqafojnë fatin e tyre se u është lënë BE-ja. Dhe kjo është sot çështja kruciale për socialdemokratët.

Procesi i Berlinit 2.0 do të mund të modelohej sipas EFTA-EEA, ngjashëm sikurse Norvegjia, Lihtenshtajni, Zvicra dhe Islanda që e kanë si kontratë me BE-në, me gjykatë të përbashkët dhe autoritet këshillues, mbikëqyrës, ku BE-ja do të zhvillohej nga brenda në secilin shtet, por megjithatë jo vetvetiu, sepse na duhet ndihma nga jashtë. Pra, duhet ta zhvillojmë BE-në brenda vetes.  Mendoj që për të gjithë ne Evropa është kontinenti ynë dhe BE-ja është fati ynë dhe mendoj që jemi me fat për këtë.

Unë jam shumë shpesh kritik ndaj BE-së, por asnjëherë cinik apo i hidhëruar. Është gabim të jesh cinik apo i hidhëruar sepse në disa raste mungesa e besimit të BE-së në njerëzit dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor nuk ka të bëjë me ne, por me BE-në. Është shprehje e mungesës së vetëbesimit. Pra, kur BE-ja shfaqë mosbesim ndaj neve unë brengosem për BE-në, jo për neve dhe me të vërtetë dua që të kontribuoj për një BE më të mirë, për zgjerim të BE-së, ku konsolidimi i brendshëm dhe zgjerimi i jashtëm shkojnë krahas njëri-tjetrit.

Natyrisht, invazioni rus dhe agresioni ushtarak është detyrë urgjente për BE-në, dhe unë besoj që përveç shfaqjes së empatisë, simpatisë dhe solidaritetit ndaj popullit të Ukrainës dhe përpjekjeve të tyre për çlirim, duhet të bëjmë gjithë atë që mundemi t’ju ndihmojmë atyre që ta çlirojnë veten.                     

Dhe unë ndjej që gjithmonë popujt e pushtuar mund ta paguajnë pushtimin me çmim të lartë dhe në fund ta fitojnë lirinë. Dhe kjo është e bëshme.

Nuk duhet të mendojmë probabilitetin që ne të fitojmë, por thjeshtë të ndihmojmë sepse jemi në anën e drejtë. Pra, është koha për normativin e bazuar në pikëpamje të vlerave jo për kalkulimin për qasje utilitariste.

Sepse këso invazioni brutal dhe të pajustifikuar nuk kemi parë më parë. Mendoj që nuk do të shihet ndoshta as në të ardhmen e afërme. Për këtë brengosem posaçërisht sepse në gjashtëshen e Ballkanit Perëndimor Serbia ka zhvilluar marrëdhënie shumë të gjera dhe të afërta me Federatën Ruse. Por mund të flas më shumë për këtë në pjesën e pyetjeve dhe të përgjigjeve.

Dua vetëm që të theksoj faktin që vitin e kaluar Serbia ka planifikuar 99 aktivitete të përbashkëta ushtarake me Rusinë dhe i kanë realizuar 104, pra e kanë tejkaluar planin e tyre. Në vitin 2012 vetëm 2 aktivitete të përbashkëta ushtarake, 50 në vitin 2016, vitin e kaluar 104. Po ashtu Gazprom i ka në pronësi 56 për qind të aksioneve të industrisë së naftës së Serbisë, shumicën e aksioneve të depos më të madhe të gazit në Banjski Dvor në Vojvodinë, që është e dyta më e madhja në Evropën Juglindore. Nga 250 anëtarë të parlamentit të Serbisë, 151 ishin anëtarë të grupit të miqësisë Serbi-Rusi.  

Selia rajonale e Sputnikut për Ballkanin është në Beograd. Kjo lidhje e Republikës Serbe në Bosnje, por posaçërisht e Serbisë me Kremlinin duhet të na brengosë të gjithëve. Janë 48 baza të funksionimit përpara përreth kufirit me Kosovën që nga gushti 2001; 28 janë ushtarake, 20 janë xhandarmëri.

Unë nuk them që ata do të sulmojnë këtë muaj apo muajin tjetër, nuk mendoj se ka gjasa të ndodhë. Ajo që më brengos mua është se nëse pas Ukrainës kemi edhe një konflikt, edhe një “spill over” diku tjetër, atëherë Ballkani do të jetë episodi numër tre. Nuk mendoj që jemi episodi numër dy. Deri më tani kemi pasur episodin numër një në Ukrainë, parandjenja më thotë që ne me siguri do të jemi episodi numër tre.      

Prandaj, BE-ja dhe NATO-ja duhet të bashkëpunojnë, atyre u duhet njëri-tjetri më shumë se kurrë më parë.

Ne kemi marrë pjesë në “Defender Europe 2021” vitin e kaluar, do të marrim pjesë në “Defender Europe 2023”, vitin e ardhshëm.

Na duhen më shumë aktivitete të përbashkëta sepse siguria dhe mbrojtja e Evropës së këtij shekulli do të vendoset në këtë dekadë.

Ju faleminderit shumë.