Kurti nuk e gjen daljen, kështu ik nga gazetarët të cilët e pyesnin për dorëheqjen e Latifit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, nuk e ka komentuar kërkesën e dorëheqjes së ministrit të Shëndetësisë, Rifat Latifi, bërë një ditë më parë.

I pyetur të premten nga gazetarët pas një konference për komunitetet, Kurti ka thënë vetëm se do ta takojë Latifin gjatë ditës së premte.

“Do ta takoj sot dr.Rifatin edhe nuk kam arritur ende ta takoj”, kanë qenë fjalët e Kurtit


Latifi dha dorëheqje nga posti i ministrit të Shëndetësisë pa i bërë një vit në krye të këtij dikasteri.

Letra e dorëheqjes e Latifit nuk përmend ndonjë arsye specifike.

“Me zhgënjim të thellë dhe keqardhje pas shumë reflektimesh për disa muajt e fundit, po ju informoj se në mënyrë efektive ju ofroj dorëheqjen time nga posti i ministrit të Shëndetësisë së Republikës së Kosovës që nga sot më datën 6 tetor, 2022”, thuhet në dorëheqjen e Latifit.

Burimet e KOHËS kanë thënë që Latifi e Qeveria kanë pasur dy mospajtime në lidhje me dy vendime.

Ndërkaq, Qeveria nuk e ka komentuar fare dorëheqjen e tij.