Kryeministri i vendit, Albin Kurti, është deklaruar për media pas takimit që zhvilloi me kreun e PDK-së, Memli Krasniqi, në të cilin prezent ishin edhe Mimoza Kusari nga LVV dhe Abelard Tahirio nga PDK.
Kurti tha se në takim u diskutua për zgjedhjet e reja dhe sipas tij stinët më të përshtatshme për mbajtjen e tyre janë pranvera e vjeshta, por për caktimin e tyre tha se pret bashkëpunim me opozitën.
“Diskutuam edhe për situatën në përgjithësi dhe sa i përket ecjes së Kosovës në integrimet ndërkombëtare dhe sa i përket mundësisë për zgjedhje të reja në të ardhmen e afërt kur dihet që unë tashmë kam hyrë në vitin e fundit të mandatit tim qeverisës….Ata e kanë përcaktuar kandidatin e tyre për kryeministrin në zgjedhjet e ardhshme, zgjedhjet e radhës janë çështje të muajve dhe jam i interesuar ta diskutojë me PDK-në, LDK-në AAK-në se cila është stina më e përshtatshme për zgjedhjet e radhës. E dim që në përgjithësi është pranvera ose vjeshta”, tha Kurti para mediave.
Tutje ai tha se i duhet bashkëpunim me opozitën sepse “konsiderojmë që është çështje e interesit të përgjithshëm”.
“Diskutuam çështje të aktualitetit politik por me theks të veçantë tek agjenda legjislative. Ne i kemi 13 marrëvesghje ndërkombëtare të cilat janë në pritje për t’u votuar, dihet që nuk mjafton shumica e thjeshtë”, tha tutje Kurti.