Kurti për hapjen e Urës së Ibrit: S’duam t’i befasojmë aleatët, por as të lejojmë të zvarritet pafundësisht

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se ura mbi lumin Ibër duhet hapur dhe se ajo nuk është dashur të mbyllej kur Kosova u çlirua 25 vjet më parë.

Kurti në një intervistë për “Zërin e Amerikës” ka thënë se për çështjen e urës është arritur marrëveshja në Bruksel dhe se nuk ka pse të diskutohet më tepër.

“Ura mbi lumin Ibër është dashur të hapet kur është çliruar Kosova para 25 vjetëve. Nuk është dashur të jetë e mbyllur kur është pavarësuar Kosova 16 vjet më parë. Është dashur të jetë e hapur edhe para 8 vjetëve në bazë të marrëveshjes së Brukselit e planit të zbatimit. Jemi trefishë të vonuar për shumë vjet. Ajo çfarë duam të bëjmë është veçse lëvizje e lirë për të gjithë qytetarët, mallrat e kapitalin në të dy anët e lumit Ibër”, ka thënë Kurti nga Chicago.

Ai ka thënë se po dëgjohen me vëmendje gjitha vërejtjet e sugjerimit e partnerëve ndërkombëtarë.

“Kurrë nuk ka pasur më shumë konsultime e koordinim. Jam optimist se do të kemi edhe sundimin e ligjit, lirinë e lëvizje në njërën anë edhe paqen, sigurinë dhe qetësinë në anën tjetër. Hapja e urës mbi lumin Ibër nuk është kundër askujt. Është për të gjitha komunitetet…Evropa i ka shembur të gjitha muret, ne jemi në Evropë dhe duhet hapur edhe kjo urë”, ka thënë Kurti.

Kurti ka thënë se janë të interesuar që hapja e urës të bëhet në bazë të planit që kanë ndarë me partnerët e aleatët amerikanë e evropianë.

“Ne duam të bëjmë sa më parë. As nuk duam të befasojmë partnerët, miqtë dhe aleatët tanë evropianë e amerikanë në njërën anë, e as nuk mund të lejojmë që çështja të zvarritet pafundësisht. Vullnetin e qëllimin e kemi të mirë”, ka thënë Kurti.

Për thirrjet që çështja e urës të diskutohet në Bruksel, Kurti ka thënë se diskutimet e viteve 2014-2017 kanë përfunduar me marrëveshje për hapjen e urës dhe me planin e zbatimit se si duhet hapur.

“Nëse është bërë një marrëveshje e bëhen diskutime mbi marrëveshjen, atëherë mënyrë indirekte është shkelje e marrëveshjes. Ne s’jemi të gatshëm të shkelim marrëveshjen. Nuk duhet të rinegociohet”, ka thënë Kurti, që ka shtuar se është i gatshëm të respektojë gjitha marrëveshjet.

Kurti ndërkohë ka thënë se nuk beson se marrëdhëniet me SHBA-në janë dëmtuar. Ai thotë se ai nuk është si kryeministrat tjerë të mëparshëm të Kosovës, por thotë se marrëdhënia që po ndërton me SHBA-në është më e fuqishme se kurrë.

Kurti gjendet në SHBA për të marrë pjesë në Konventën Ndërkombëtare të Demokratëve në Chicago.

Kurti është pyetur edhe për mundësinë e kthimit në pushtet të ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump.

Kurti ka thënë se një nga kritikat që kishte Trump për shtetet anëtare të NATO-s ishte mospërmbushja e kuotës prej shpenzimit të 2 për qind të bruto produktit vendor për mbrojtje.

Kurti tha se Kosova në këtë aspekt është mirë, pasi e ka kaluar këtë shifër.